Në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shpërthyer vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.
Siç ka njoftuar Shërbimi Spitalor i Kosovës në Facebook, dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura. Në atë kohë po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, që parashihej të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të SHSKUK-së.
Siç ka njoftuar SHSKUK-ja, për rastin është lajmëruar policia që ka nisur procedurat hetimore.
E Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka pasur të lënduar.
“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në përgjigjen e Policisë.