Arbëri

Deputetët e LVV-së s’largohen nga Qeveria as pasi e shpallën të konstituuar Kuvendin

Deputetët e Vetëvendosjes që janë njëkohësisht ministra, vazhdojnë t’i mbajnë postet ekzekutive edhe pas konstituimit të Kuvendit, gjë që bie ndesh me Ligjin për Qeverinë e me vendimin e Gjykatës Supreme. Përjashtim ka bërë Albulena Haxhiu, që ka lënë detyrat ekzekutive pas zgjedhjes nënkryetare të Kuvendit

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që ishin anëtarë qeverie në “Kurti 2” vazhdojnë t’i mbajnë postet e tyre ekzekutive edhe pas shpalljes së Kuvendit si i konstituuar nga kryeparlamentari Dimal Basha.

Konstituimin e Kuvendit Vetëvendosje e ka vlerësuar në përputhje me Kushtetutën, ndonëse 6 ditë pas kryeministri dhe disa nga ministrat në detyrë vazhdojnë t’i mbajnë të dy funksionet njëkohësisht, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.

Sipas njohësit të rrethanave politike, Afrim Kasolli, Vetëvendosje ka rënë në kontradiktë me veprimet dhe deklarimet e veta para se të konstituohej Kuvendi.

“Në rrafshin juridik Gjykata Supreme para një kohe e ka dhënë verdiktin e saj, e ka dhënë gjykimin e saj që e konsideron konflikt interesi dhe i cili nuk është i pajtueshëm me Kushtetutën dhe sistemin ligjor në Kosovë, mbajtja në të njëjtën kohe e dy pozitave si e deputetit ashtu e atyre që kanë pozita ekzekutive”, ka thënë Kasolli.

Më 16 korrik Gjykata Supreme e vlerësoi të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë.

Qeveria në detyrë e quajti arbitrar vendimin e nxjerrjen e akteve nënligjore e mbështeti në aktgjykimin e Kushtetueses të datës 26 qershor, ku thuhej se Kuvendi është i pakonstituuar pa zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Tash kur Vetëvendosje e njeh si funksionale legjislaturën e re, në këtë parti nuk kanë dhënë përgjigje se pse kryeministri dhe ministrat nuk janë larguar nga zyrat në Ekzekutiv. Përgjigje nuk kanë ofruar as ministrat.

E në sqarimin e Zyrës së Kryeministrit, vazhdimi i punës mbështetet në nenin 30 të Ligjit për Qeverinë, ligj ku katër nene më lart specifikon se anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje kur zgjidhen deputetë dhe se nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion tjetër publik.

“Neni 30 i Ligji për Qeveri e thotë qartë se Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me po këtë ligj, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Afrim Kasolli kritikon Vetëvendosjen për moskonsistencë.

“Tashmë kemi qëndrimin zyrtar dhe publik të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e konsideron të konstituuar Kuvendin e Kosovës pavarësisht kontestimeve tjera politike që ka nga opozita e shoqëria civile dhe të njëjtët në atë që e konsideruan si standard të duhur juridik se si duhej të silleshin përfaqësuesit e kabinetit qeveritar, tashmë nuk janë duke e përfillur. Pra është një kundërthënie e madhe politike e LVV-së në raport me këtë temë”, ka thënë Kasolli.

Më 28 gusht, kur Albulena Haxhiu u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ajo la zyrën e Ministrisë së Drejtësisë. 

Njësoj veproi edhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, që u zgjodh nënkryetare nga komunitetet pakicë joserbe.