Ngërçi politik dhe mungesa e institucioneve funksionale kanë ndikuar jo pak që vendi të mos përparojë në rrugën për marrjen e statusit kandidat, vlerësojnë ekspertët e politikës së jashtme. Prej muajit korrik, Këshilli i BE-së do të udhëhiqet nga Irlanda e zyrtarë nga ky vend kanë thënë se do ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës, kur të përmbushë kushtet e të zbatojë reformat e nevojshme
Shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian ka pak gjasë të ndodhë edhe këtë vit.
Nga Irlanda, shtet që pritet ta kryesojë Këshillin e Bashkimit Evropian në 6 muajt e ardhshëm korrik-dhjetor, në një përgjigje për KOHË-n, kanë thënë se do të mbështesin të gjitha vendet, por me kushtin që të zbatohen të gjitha reformat e nevojshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Irlanda mbështet fuqishëm zgjerimin e BE-së, i cili do të jetë prioritet kyç i presidencës sonë në BE. Irlanda do ta mbështesë përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, përfshirë Kosovën, drejt anëtarësimit në BE, aty ku mundësojnë kushtet dhe nëse zbatohen të gjitha reformat e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Presidencës Irlandeze në ardhje e Këshillit të BE-së.
E Kosova tash e 20 muaj gati, me përjashtim të periudhave të shkurtra, nuk ka institucione funksionale për shkak të zgjedhjeve të shpeshta. Për këtë, janë vënë në rrezik edhe mjetet e Planit të Rritjes të BE-së në vlerë qindra miliona euro.
Programi i presidencës irlandeze parasheh që të avancohet draftimi i traktatit për anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe që të bëhet edhe progres i shpejtë në negociata me Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë.
Në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se Irlanda ka dëshmuar përkushtim për një Evropë të bashkuar, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse dhe se edhe ministri i jashtëm në detyrë Glauk Konjufca ka kërkuar mbështetjen e Irlandës nga homologia e tij Helen McEntee gjatë takimit e 5 majit në Dublin.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se presin që Irlanda ta ruajë momentumin e anëtarësimit.
“Lidhur me pyetësorin e anëtarësimit, presim që Presidenca irlandeze të kontribuojë në ruajtjen e momentumit për procesin e zgjerimit dhe në trajtimin e drejtë të aplikimit të Kosovës. Megjithatë, vendimet në këtë proces varen nga konsensusi dhe procedurat institucionale të Bashkimit Evropian. Kosova do të vazhdojë angazhimin aktiv me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për të avancuar më tej procesin e integrimit evropian”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Vela, ka vlerësuar se pengesë në marrjen e statusit të vendit kandidat janë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ka përmendur edhe arsyeje tjera.
“Fakti që pesë shtetet mosnjohëse ende hezitojnë që të japin dritën e gjelbër në këtë drejtim është pengesa kryesore për momentin për Kosovën edhe për periudhën e ardhshme. Në këtë drejtim edhe mungesa e institucioneve, gjithsesi se mund të ndikojë në disponimin e institucioneve të Bashkimit Evropian, por edhe të vendeve anëtare, pasi që procesi i anëtarësimit është i konceptuar në dy drejtime: një i bazuar në merita, pra në njëfarë mënyre në përmbushjen e detyrave të shtëpisë, dhe për Kosovën ekziston një listë, duke qenë se edhe për planin e zhvillimit është e qartë se çka duhet të përmbushet. Dhe mungesa e një Kuvendi funksional, natyrisht se shkakton vonesa sepse disa prej atyre masave kërkojnë miratimet, ndryshimet ligjore apo edhe ligje të reja në Kuvendin e Republikës”, ka thënë Vela.
Por, përtej të qenit çështje meritash e progresit në reforma, anëtarësimi në BE është politik, ka thënë Vela.
Ai ka përmendur shembullin e Bosnjës që u bë shtet kandidat për anëtarësim në BE me mbështetjen e Sllovenisë.
Ai ka vlerësuar se duhen fushata diplomatike serioze që përfshijnë angazhimin e Qeverisë, Kuvendit dhe presidencën.
“Për Kosovën është qenësore që të identifikohen disa shtete që mund të jenë ata që shtyjnë përpara, agjendën e statusit të vendit kandidat për Kosovën. Dhe këtu mund të jetë dikush nga rajoni, për shembull Kroacia apo edhe shtete të tjera që kanë interes në rajon për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, siç janë Italia, Bullgaria, Greqia, pse jo edhe Austria, Sllovenia dhe Hungaria…Ne e kemi fatin që katër presidencat e ardhshme të Bashkimit Evropian janë Lituania, Greqia, Italia dhe Letonia, pra shtete që parimisht janë të interesuara për progres dhe për zgjerim të Bashkimit Evropian, dhe Ballkanin e konsiderojnë fushë prioritare”, ka thënë Vela.
Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat më 15 dhjetor 2022, në kohën kur presidencën e Këshillit të BE-së e mbante Çekia.