Vonesat në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, sjellja joprofesionale e stafit, mungesa e mjekëve dhe personelit, rezultatet e kontestuara laboratorike si dhe çështjet që lidhen me pagesat e shërbimeve janë ankesat më të shpeshta të pacientëve gjatë vitit 2025.
Bazuar në përmbajtjen e 130 ankesave që KOHA i ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike, 82 kanë pasur për adresë institucionet publike shëndetësore e 48 ato private.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShumica e ankesave në sektorin publik lidhen me qasjen në shërbime, mungesën e stafit dhe vonesat në trajtim, ndërsa në sektorin privat me cilësinë e shërbimeve, rezultatet laboratorike dhe dyshimet për ushtrim të veprimtarisë pa licencë.
“Ankesat ndaj sektorit publik lidhen kryesisht me: mungesë mjekësh dhe stafi, vonesa në trajtim, mosofrim të shërbimeve, sjellje joprofesionale, terminë të gjatë, mungesë ilaçesh. Në sektorin privat dominojnë: rezultatet laboratorike të kontestuara, dyshimet për mungesë licence, moslëshimi i kuponëve fiskalë, trajtime të pakënaqshme profesionale”, thuhet në një përmbledhje të ankesave të pacientëve.
Po ashtu, së paku pesë ankesa kanë të bëjnë me referimin ose pretendimet për referim të pacientëve nga institucionet publike në ato private shëndetësore.
Gjashtë ankesa lidhen me mungesën e barnave, terapive ose materialeve të nevojshme mjekësore në institucionet shëndetësore.
Dhjetë ankesa kanë të bëjnë me shërbimet laboratorike, përfshirë pretendimet për rezultate të pasakta, vonesa në marrjen e tyre dhe parregullsi të tjera gjatë kryerjes së analizave.
Ndër ankesat e evidentuara është edhe lëshimi i certifikatave shëndetësore pa kryer asnjë kontroll mjekësor.
Nga 130 ankesa të bëra gjatë vitit 2025, në raportin vjetor të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuar në mars të këtij viti, theksohet se 57 nuk kanë marrë përgjigje nga institucioni, pasi janë në proces të shqyrtimit.
E bazuar në një përgjigje të Ministrisë, dy muaj pas publikimit të raportit, vetëm një prej tyre është shqyrtuar.
“Sipas të dhënave në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 57 ankesat që kanë qenë në proces shqyrtimi, deri më tani është pranuar përgjigje vetëm për një ankesë, ndërsa për 56 ankesat e tjera nuk kemi pranuar informacion lidhur me rezultatin përfundimtar të trajtimit të tyre, meqenëse ankesat përcillen për trajtim tek Inspektorati Shëndetësor dhe institucionet përkatëse”, thuhet në përgjigje të MSH-së.
Numri i ankesave të raportuara nga pacientët në Ministrinë e Shëndetësisë më 2025 ka shënuar rënie për rreth 20 për qind krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit vjetor, nga 164 ankesa të regjistruara dy vjet më parë, 130 prej tyre janë trajtuar vitin pasues e vetëm për 14 ankesa janë marrë masa.