Disa Komuna në regjionin e Ferizajt gjatë këtij viti janë përballur me dështime të marrëveshjeve nga Qeveria e Kosovës. Po ashtu edhe një varg projektesh infrastrukturore nuk janë finalizuar nëpër komuna si pasojë e mosfinancimit nga ministritë e linjave përkatëse.
Në këtë fushë më së shumti janë dëmtuar Komuna e Ferizajt dhe ajo e Lipjanit derisa një varg marrëveshjesh me Qeverinë kanë dështuar. Në Lipjan së fundi ishte publikuar rasti i ndërtimit të objektit të Komunës në vlerë prej rreth 2 milionë eurosh i cili është financuar drejtpërdrejt nga të hyrat e tatimit në pronë, megjithëse për realizimin e këtij projekti në fillim të vitit kishte dështuar marrëveshja me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Po ashtu në këtë komunë ka ngecur së realizuari edhe marrëveshja për projektin që lidh magjistralen nga Lipjani në drejtim të Prishtinës, projekt ky i cili është nënshkruar të financohet nga MMPHI-ja.
Për këtë projekt infrastrukturor, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti në një nga mbledhjet e Kuvendit pati thënë se do ta asfaltonte me paratë e komunës për qytetarët e vet sikur të ishte mundësia ligjore për financim në rrugë regjionale. Po ashtu në këtë komunë ka ngecur edhe projekti në drejtim të fshatit Rubovc i cili ishte planifikuar të ndërtohej nga niveli qendror. Ndërkaq, në Ferizaj ka pasur reagime se kanë dështuar një varg marrëveshje për bashkëfinancim të projekteve me ministritë e linjave.
Selim Marevci, zëdhënës i Komunës, ka thënë për KOHEN se Qeveria e Kosovës ka ngecur të realizon një varg projektesh madhore në Komunën e Ferizajt me arsyetim se janë marrë për bazë ngjyrimet politike të qeverisjes.
“E kemi rastin për vazhdimin e projektit për ‘Bashkimin e Qytetit’ te stacioni i Policisë i cili nuk ka vazhduar shkaku i mospërkrahjes nga ana e Qeverisë së Kosovës, pastaj e kemi edhe rastin e Spitalit të Ferizajt që është penguar drejtpërdrejt nga Qeveria e Kosovës, me gjithë insistimin e komunës për të vazhduar punimet. Po ashtu edhe projekti i ujërave të zeza që fatkeqësisht është larguar si projekt në vlerë prej mbi 70 milion euro dhe një varg projektesh të tjera madhore që do ta përmirësonin mirëqenien në përgjithësi të qytetarëve të komunës së Ferizajt”, ka thënë Marevci.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi ka thënë se niveli qendror ka shkëputur marrëveshjet për projektet më të rëndësishme për qytetarët e Lipjanit.
Sipas tij rasti konkret ishte marrëveshja për ndërtimin e objektit të ri të Komunës.
“MAPL-ja e pati shkëputur marrëveshjen e bashkëfinancimit për objektin e ri, ndërkohë ne si komunë me buxhet vetjak nga të hyrat e tatimit në pronë kemi financuar ndërtimin e objektit. Ndërkohë po ashtu Qeveria nuk po e realizon projektin e rrugës që shkon në drejtim të fshatit Rubovc e po ashtu as projektin e rrugës regjionale nga Lipjani në drejtim të Prishtinës”, ka thënë Bytyqi.
Ndërkohë, Komuna e Lipjanit pati lëshuar edhe një njoftim publik lidhur me financimin e projekteve kapitale.
“Objekti i Komunës është i ndërtuar dhe i financuar 100 për qind nga mjetet e buxhetuar (të hyrat vetanake), përkatësit nga taksat e qytetarëve të Lipjanit. Pavarësisht memorandumit që kemi pasur me MAPL-në, më vonë MAPL-ja është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe të gjitha obligimet i kanë mbetur Komunës së Lipjanit. Ju informojmë me përgjegjësi të plotë që as edhe një centë MAPL apo ndonjë institucion tjetër nuk e ka financuar Ndërtimin e Objektit të Komunës, ky projekt është financuar nga Komuna e Lipjanit”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Ndërkohë, shkaku i shkëputjeve të marrëveshjeve nga niveli qendror ka reaguar edhe organizata “Avonet”.
“Kërkojmë nga niveli qendror që buxhetin për projekte kapitale ta ndaj sipas madhësisë së komunave për nga numri i banorëve dhe për nga kërkesat e tyre. Nuk duhet shikuar çështja e marrëveshjeve mbi bazë të ngjyrimeve politike, por ato duhet të vazhdohen dhe projektet duhet të realizohen sa më shpejt që është e mundur. Kemi shumë projekte që nuk janë realizuar në Komunën e Ferizajt, Kaçanikut, e Hanin e Elezit, projekte këto të cilat është dashur të mbështeten nga Qeveria e Kosovës. Po ashtu projekte të tilla që nuk po realizohen kemi edhe në komunën e Lipjanit”, thuhet midis të tjerash në reagimin e kësaj OJQ-ja.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me ndarjen buxhetore për projektet kapitale nëpër komuna.