Shqetësuese është vlerësuar nga përfaqësues të opozitës dhe ata të shoqërisë civile në Podujevë, dinamika e deritashme e realizimit të projekteve kapitale në këtë komunë.
Bazuar në raportin financiar të publikuar ditë më parë, nga Komuna e Podujevës janë shpenzuar rreth 1 milion euro për gjashtë muaj, apo rreth 14 për qind e buxhetit fillestar të paraparë për këtë destinim.
Përfaqësues nga opozita dhe ata nga shoqëria civile kanë shprehur shqetësimin se me ritmin aktual të shpenzimeve, rrezikohet që gjysma e buxhetit për kapitale të mbetet suficit.
“Kjo vërtet është shqetësuese. Vërtet ne si opozitë kemi ngritur zërin që të trajtohet ndryshe, gjegjësisht të shpejtohet dinamika e zhvillimit të projekteve kapitale, të mos vijmë në një situatë qysh kemi qenë në vitin paraprak që për 1 muaj e gjysmë ka dashtë të shpenzohet 4 milionë. Se kur të vijmë në një asi faze në një formë të mos e quaj formë paniku të shpenzohen, pse na mbeti gjithë ky buxhet dhe të na shpenzohen në mënyrë të pakontrolluar dhe jo të realizohet mirë”, tha Naim Çunaku, këshilltar komunal i LDK-së në Podujevë.
Shemsi Jashari, nga Rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Demokracia Fillon Këtu”, ka përmendur tre indikatorë që kanë ndikuar në shpenzimin e ulët për projekte kapitale.
Si të parin ka kualifikuar efikasitetin jo të kënaqshëm të punës së drejtorëve, e më pas edhe vonesat në miratimin e buxhetit, si dhe hezitimin e operatorëve ekonomikë shkaku i rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
“Do të ketë suficit dhe trendi se qysh është shpenzuar deri tash buxheti, pritet që të ketë një shifër bukur të lartë të suficitit. Edhe ashtu për çdo vit ne kemi pasur suficit të mbetur. Por, kësaj here kjo shifër kaq e ulët e shpenzimeve deri më tash tregon që mund të kemi edhe gjysmën e buxhetit për projekte kapitale të pashpenzuara për vitin 2022”, tha Jashari.
Si Çunaku ashtu edhe Jashari kanë tërhequr vërejtjen për mundësinë e jetësimit të ngutshëm të shpenzimeve buxhetore në fund të vitit.
Zyrtarët komunalë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të adresuara nga KOHA lidhur me çështjen.
E në ditën kur është diskutuar mbi raportin gjashtëmujor financiar, drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës, Fatlum Osmani, ka theksuar se kanë mbetur vetëm 2 deri në 3 projekte të paproceduara në prokurim.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se vetëm gjatë muajit korrik është shpenzuar një shumë e përafërt me atë të gjashtëmujorit të parë të vitit.