Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka kundërshtuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për ta referuar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se zvarritja e këtij procesi e dëmton funksionalitetin e institucionit.
Në reagimin e DnV-së thuhet se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në kuadrin kushtetues dhe atë ligjor përmes modelit strikt të përfaqësimit dhe ky model nuk lidhet drejtpërdrejtë me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve në kuptim të numrave, por me parimin e balancës ndërmjet grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë tej janë përmendur edhe rastet e mëhershme, përfshirë periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur përbërja e KQZ-së është përcaktuar mbi bazën e modelit strikt duke kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor.
“Kjo praktikë përbën një standard - në harmoni edhe me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias - të vendosur që ka garantuar funksionimin e balancuar të institucionit”, thuhet në reagim.
DnV-ja më tej ka thënë se trajtimi i kësaj çështjeje si dilemë kushtetuese dhe referimi i saj në gjykatë nuk kontribuon në qartësi shtesë, por prodhon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të drejtpërdrejtë.
“Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj”, është thënë më tej në reagim.
DnV-ja ka bërë thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet e vendosura në praktikë, në mënyrë që të ruhet funksionaliteti dhe besueshmëria e këtij institucioni.
Emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së është dërguar për sqarime në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja Osmani. Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes, u ngrit shkaku që partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që i parasheh Kushtetuta.
Partitë dërguan në Presidencë propozime për aq anëtarë sa i patën në përbërjen e shkuar, përveç LVV-së që propozoi një më shumë se më herët.