Disa nxënës të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë kanë bojkotuar mësimin të mërkurën, pasi në ditët e para të vitit të ri shkollor janë detyruar të ndërrojnë ambient si pasojë e ujërave të zeza.
“Duam dije, jo ujëra të zeza”, shkruhej në njërën pankartë që mbanin nxënësit. “Shkolla s’është banjo publike”, shkruante një tjetër. E një fëmijë kishte shkruar: “Kishim mall për mësim, na detyruat për bojkot”.

KOHA një ditë më parë raportoi se shpërthimi i pusetave në oborrin e kësaj shkolle i ka mbushur me ujëra të zeza dhe me kundërmim katin përdhes të kësaj shkolle në kryeqytet. Viti i ri shkollor në “Ismail Qemal”, nisi edhe me banja të dëmtuara, punimet për renovimin e të cilave dhe të rrjetit të kanalizimit nuk janë zhvilluar gjatë periudhës sa ka zgjatur pushimi veror për nxënësit.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim edhe te prindërit dhe te shoqëruesit e fëmijëve që i vijojnë mësimet në këtë shkollë.
Drejtoresha e shkollës ka thënë se shkolla ka marrëveshje me Drejtorinë Komunale të Arsimit për renovimin e plotë të shkollës, duke nisur nga marsi i ardhshëm.
E lidhur me rastin, Komuna nuk ka dhënë përgjigje.