Liderët partiakë dhe përfaqësues të partive parlamentare janë ende në takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Janë bërë dy orë e gjysmë qëkur ka nisur takimi që ka qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për dalje nga ngërçi në Kuvend, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që deputetët kanë edhe 30 ditë afat për të konstituuar Kuvendin.
Në takim janë të gjithë liderët e partive politike, pos Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo parti po përfaqësohet nga deputetja Time Kadrijaj.
Takimi ishte ftuar nga Kurti. KOHA ka raportuar një ditë më parë se ai ka bërë gati tri propozime për çështjen e konstituimit.
Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë për të dështuar në 37 herë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë. Deri tash nuk ka marrë mbështetjen në këtë përpjekje. Partitë opozitare nuk kanë votuar fare e AAK-ja e pati çuar në Kushtetuese për shqyrtim pikërisht këtë propozim të VV-së.
