Arbëri

Dy skanerë me rreze X do të instalohen në Merdar, në rastin më të mirë më 2026

“Të gjitha përpjekjet po ndërmerren në bashkëpunim të ngushtë me GIZ-in, institucionet përkatëse qeveritare të Kosovës, BE-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për prodhimin dhe dorëzimin e skanerëve, dorëzimi idealisht pritet gjatë vitit 2026, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane në Kosovë

Dy skanerët me rreze X që Gjermania ia ka premtuar Kosovës vitin e kaluar, në rastin më të mirë do të montohen në pikën kufitare në Merdar vitin e ardhshëm, kanë thënë nga Ambasada gjermane në Kosovë. 

Sipas kësaj ambasade, procesi është kompleks meqë skanerët e mëdhenj që do të skanojnë kryesisht maune e kamionë, nuk vijnë si produkt i gatshëm, porse montohen në vend.

“Procesi i prokurimit, i cili është aktualisht në zhvillim e sipër, përfshin vlerësime të hollësishme për të siguruar që të identifikohen zgjidhjet më efektive për sfidat specifike në kufi. Për shkak të kompleksitetit teknik të projektit - për shkak se skanerët me rreze X për transportin e mallrave nuk janë një produkt i gatshëm, por përkundrazi duhet të montohen në vendin e tyre - ky proces kërkon kohë dhe shqyrtim të kujdesshëm. Të gjitha përpjekjet po ndërmerren në bashkëpunim të ngushtë me GIZ-in, institucionet përkatëse qeveritare të Kosovës, BE-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për prodhimin dhe dorëzimin e skanerëve, dorëzimi idealisht pritet gjatë vitit 2026", thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

Në përgjigje nga Ambasada kanë shkruar se Gjermania “mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në sigurimin e skanerëve të nevojshëm” për pikat kufitare. 

GIZ-i, që menaxhon këtë proces prokurimi, tenderin e ka shpallur më 19 gusht, ndërsa e ka zgjatur datën për aplikim, fillimisht nga 23 shtatori në 6 tetor e më pas deri në 10 nëntor. 

Për arsyet e zgjatjes së procesit nuk kanë komentuar në këtë organizatë.

“GIZ-i, në emër të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Gjermane, mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në sigurimin e skanerëve të nevojshëm. Procedura e tenderit për dy skanerë mobilë me rreze X ka filluar në mesin e gushtit dhe është ende në vazhdim. Vendosja e skanerëve do të ndihmojë në lehtësimin e lëvizjes së mallrave në pikat e kalimit, gjë që mund të sjellë përmirësime të konsiderueshme për kompanitë rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës. Zyrtarët doganorë të Kosovës do të trajnohen gjithashtu se si të përdorin skanerët”, thuhet në përgjigjen e GIZ-it. 

Qeveria e Kosovës pati ndaluar importin e mallrave nga Serbia në mesin e vitit 2023, pasi pati vlerësuar se nga ky shtet hyn një sasi e madhe armësh. 

Në tetor të vitit 2024, kjo masë ishte ndryshuar. Ishte lejuar importimi i mallrave nga Serbia vetëm në pikën kufitare në Merdar. Për pikat e tjera importimi është premtuar të lejohet pasi të sigurohen skanerët.

Sipas Kurtit, masa kufizuese nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë.