Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Për të ecur përpara duhet të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës

Kurti: Për të ecur përpara duhet të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se për çështjen e presidentit të ri bashkëpunimi me partitë opozitare është i nevojshëm. Megjithatë, ai ka thënë se “për të ecur përpara duhet të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës”.

Kurti dhe Vetëvendosje sipas numrave aktualë, kanë siguruar 52 ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 7 qershorit. Në këto zgjedhje vendi shkoi pas dështimit të partive për të zgjedhur presidentin. Për këtë procedurë duhen të paktën 80 deputetë të jenë të pranishëm në sallë në dy rundet e para të zgjedhjes së presidentit. Nga përurimi i një rruge rajonale të martën, Kurti ka thënë se është i interesuar që të hyhet sa më shpejtë në fazën e ardhshme – atë të konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, ai ka thënë se këtë herë shpreson në ndryshim të qasjes opozitare, të cilën e ka fajësuar për bllokadat që çuan në zgjedhje.

“Por, natyrisht ju e dini që për çështjen e presidentit, zgjedhjes së presidentit ose presidentes, ne këtë nuk mund ta bëjmë vetëm, për shkak se nevojiten 80 veta aty në sallë në kuorum, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, që t’ju them të drejtën ka pasur tejet shumë interpretime kritike, kredibile, sepse ne e dimë që Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta rishkruajë Kushtetutën, as ta amandamentojë atë, por do të duhej vetëm ta interpretojë. Dhe ne kemi pasur shumë shembuj kur kemi pasur një lloj aktivizmi juridik. Por, ndodhemi tash në këtë rrethanë dhe neve na duhet bashkëpunimi. Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, ka thënë ai duke thënë se propozimet e tij janë refuzuar nga opozitarët. “Nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën nga ana jonë. Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë qasja e opozitës dhe propozimeve tona. sikurse herën e kaluar që iu përgjigjën me refuzime, nuk do t’i kenë më pjesë të identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar”.

Nga numërimi i rreth 94 për qind të vendvotimeve në total, VV-ja ka marrë 52 ulëse. Në legjislaturën e shkuar i pati pesë më shumë. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike 19. Aleanca si e katërta parti shqiptare ka shtatë ulëse.

Në përpjekjet për të zgjedhur presidentin gjatë legjislaturës së shkuar, Kurti pati takime me udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së, por dështuan në gjetjen e një zgjidhjeje. Në fund në mungesë numrash dështoi zgjedhja e presidentit dhe Kosova shkoi në zgjedhje të reja.