Arbëri

Dyshime se 2 kompani i kurdisën 4 tenderë – ajo me oferta të lira u largua, fitoi tjetra me të shtrenjta

Dyshime për kurdisje tenderi janë hedhur, pasi që brenda një muaji dy biznese kanë aplikuar të njëjtin skenar në katër tenderë. Kompania AWA, e cila e pati çmimin më të lirë, asnjëherë nuk është përgjigjur kur autoritetet kontraktuese e kanë trajtuar ofertën dhe i kanë kërkuar sqarime shtesë. Pas kësaj, institucionet i kanë dhënë kontratë operatorit ekonomik me ofertën më të shtrenjtë, e që në të gjitha herët ndodhi të jetë kompania INFINITT

Në katër tenderë për furnizim me klima, të shpallur brenda një muaji nga institucionet publike, ka ndodhur i njëjti skenar: kompania me ofertën më të lirë është larguar në fazën e sqarimeve, ndërsa kontratat kanë përfunduar te një kompani e vetme, e cila pati ofertë më të shtrenjtë.

Në këto aktivitete prokurimi, Kompania AWA, e cila e ka pasur çmimin më të lirë, asnjëherë nuk është përgjigjur kur autoritetet kontraktuese e kanë trajtuar ofertën dhe i kanë kërkuar sqarime shtesë. Pas kësaj, është shpërblyer operatori ekonomik tjetër në radhë, e që në të gjitha herët ka ndodhur të jetë kompania INFINIT.

Ky skenar ka ndodhur tek tenderi për klimat në objektin e Agjencisë së Punësimit, të cilin e ka zhvilluar Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP). Ajo e ka eliminuar kompaninë AWA, duke e shpallur të papërgjegjshme ofertën, pasi që kompania nuk i ka dhënë sqarimet që i janë kërkuar.

“Ju e keni dorëzuar listën e kontratave të përfunduara, mirëpo nuk i keni bashkëngjitur dëshmitë lidhur me realizimin e atyre kontratave. Për këtë, më datë 12.05.2025 janë kërkuar sqarime shtesë, mirëpo ju nuk i jeni përgjigjur kërkesës sonë. Andaj, oferta juaj vlerësohet si e papërgjegjshme dhe ju eliminoheni nga ky aktivitet i prokurimit”, thuhet në letrën standarde të AQP-së dërguar AWA-s.

Njësoj ka ndodhur edhe në rastin e furnizimit me klima për zyrat e Baletit Kombëtar dhe për Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Arsyeja e eliminimit të AWA-s ka qenë mungesa e sqarimeve shtesë dhe kontrata i është dhënë INFINITT-it.

Në muajin maj, në tenderin për furnizim me klima të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), më së liri ka ofertuar një kompani që nuk ka ofruar specifikacion teknik dhe oferta i është refuzuar pa kërkuar informacione shtesë. Pas saj ka qenë AWA me ofertën më të lirë, por sërish nuk ia ka ofruar Autoritetit Kontraktues sqarimet që i janë kërkuar dhe kontrata ka kaluar tek INFINITT-i.

“Brenda afatit të përcaktuar nuk kemi pranuar përgjigje në kërkesën për sqarim të tenderit. Pa përgjigjen nga ana juaj në pyetjet e lartshënuara, brenda afatit kohor të përcaktuar, tenderi juaj është refuzuar”, thuhet në letrën standarde të IKSHPK-së dërguar AWA-s.

Në kompaninë AWA janë arsyetuar pse nuk u janë përgjigjur autoriteteve kontraktuese, kur u kanë kërkuar sqarime. Për njërin rast kanë thënë se distributori nuk ka arritur që t’ua sigurojë certifikatën e kualitetit të klimave, të cilën e ka kërkuar Autoriteti Kontraktues, ndërsa për të tjerat kanë thënë se pasi kanë ofertuar e kanë kuptuar se klimat e furnitorit nuk i përfshijnë gypat, kabllon dhe mbajtësit.

“Për ne nuk ka pasur leverdi të nënshkruajmë kontratë për këto projekte, pasi që kur kalkulohet kostoja e gypave, kabllove dhe mbajtësit e klimës, kostoja e tejkalon çmimin e ofertës sonë të dhënë në projektet e lartcekura. Stafit administrativ, që merret me përgatitjen dhe dorëzimin e ofertave, i ka ikur ky detaj, pasi që te klimat në 95% të rasteve përfshihen këto elemente në pako”, është thënë në arsyetimin e AWA-s.

Në kompaninë AWA e kanë mohuar se kanë ndonjë lidhje me atë INFINITT.

“Ju njoftoj se nuk kemi ndonjë lidhje me kompaninë INFINITT, përveç bashkëpunimit kolegial dhe tregtimin e mallrave të ndryshme, si me të gjitha kompanitë e tjera në tregun tonë, që merren me lëmin e njëjtë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Të njëjtin qëndrim e kanë shprehur edhe në kompaninë INFINITT.

“Nuk kemi ndonjë lidhje me kompaninë AWA, në përjashtim të shitblerjes së produkteve të zyrës, me çka merren edhe ata, edhe ne”, kanë thënë në INFINITT SH.P.K.

Por, Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se skenari i parë në këto katër raste është tregues për kurdisje tenderësh.

“Kjo është mënyra më klasike e kurdisjes së tenderëve, një fenomen që me vite të tëra, për të mos thënë me dekada, ka qenë prezent në Kosovë, ku gjithmonë oferta më e lirë është tërhequr dhe ka fituar oferta e dytë. Por, në këtë rast, kur i kemi katër herë të të njëjtës paraqitje apo të të njëjtit problem, duhet me qenë një flamur i kuq për Agjencinë për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Ajo ka vlerësuar se Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës, autoritetet kontraktuese dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik do të duhej t’i hetonin dhe t’i penalizonin kompanitë e përfshira në raste të këtilla.

Kontratat që i janë dhënë kompanisë INFINITT në të katër aktivitetet e prokurimit e kapin vlerën e afro 40 mijë eurove.