109 persona janë arrestuar lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se 109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa ka theksuar se katër partitë kryesore në vend “i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë”.
Kryeziu ka shtuar se manipulimi do të ishte i pamundur po të mos kishte kompromis në mes të komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike. Ka thënë më tej se 6 janë liruar, ndërsa 109 janë ndaluar.
“Sot 4 prokurorët e krimeve të rënda janë marrë me procese dhe kanë dalë në stacione policore dhe kanë lëshuar 109 vendime për ndalim, deri tash i kemi 109 të ndaluar për vepra penale të flasifikimi të rezultateve, presion e kanosje dhe dhënie e marrje të ryshfetit. Sot kemi pasur edhe dëshmitarë dhe situata që kanë treguar kush ka marrë dhe nga kush ka marrë ryshfet”, ka thënë ai në konferencë për media.
Kryeziu ka thënë tutje se bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara vetëm në rajonin e Prizrenit.
“Nuk bëhet fjalë për dhjetëra e qindra por mijëra vota të manipuluara. Ka kandidatë vetëm për kandidatë të subjekteve të caktuara politike që kanë deri mbi 6000 vota. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri 2444 vota, pra vetëm në një klasë. Në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim që ka dalur e pakeqpërdorur. Në Komunën e Prizrenit 40,497 vota janë shtuar e janë hequr 27, 520 vota. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota”.
Kryeziu është pyetur nëse do të ketë ndëshkim edhe për kandidatët politikë të cilëve u janë shtuar ose hequr vota. Ai është përgjigjur se deri tash nuk ka prova për përfshirje direkte të tyre.
“Deri tash po veprojmë ndaj atyre që drejtpërdrejt kanë keqpërdor rezultatet, ata kanë vënë nënshkrimet e tyre. Deri në këtë fazë nuk kemi informacion që e involvon ndonjë kandidat për ndërhyrje. Por edhe kandidatët do të dëgjohen në Prokurori. Prokuroria së paku do t’i dëgjojë si palë e dëmtuar. Do bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë për secilin prova”.
Në mesin e të ndaluarve është Art Hasani, djali i kandidatit të PDK-së për deputet, Nait Hasani. Siç ka konfirmuar avokati i tij, Anton Çupërjani, Hasani është ftuar për intervistë në mëngjes, në cilësinë e të dyshuarit, dhe menjëherë pas intervistimit është ndaluar për 48 orë. Në një deklaratë për KOHËN, avokati ka thënë se ai dyshohet për veprën e falsifikimit të votave. Ka treguar se Hasani ka qenë i angazhuar nga PDK-ja në cilësinë e kryesuesit në tavolinën ku është bërë numërimi, bashkë me anëtarët e partive të tjera. Çupërjani ka thënë po ashtu se palëve ende nuk u është dorëzuar vendimi për ndalim. Ai është ankuar edhe për faktin se të ndaluarit janë dërguar në qytete të tjera e nuk janë mbajtur në stacionin policor në Prizren.
Sipas burimeve të Betimi për Drejtësi, njëri prej të arrestuarve është edhe djali i vëllait të Fetah Paçarizit, kandidat për deputet të PDK-së të cilit iu hoqën më së shumti vota pas rinumërimit.
Disa komisionerë të ndaluar pas intervistimit në Polici
Intervistimet lidhur me dyshimet për manipulim të votave në Prizren po vazhdojnë. Në to janë përfshirë të gjithë komisionerët, përfshirë ata nga partitë kryesore: LVV, PDK, LDK dhe AAK.
Burime të “Betimit për Drejtësi” bëjnë të ditur se disa persona janë ndaluar, por ende nuk ka vendime të shkruara për asnjë prej tyre që të regjistrohen me numër të saktë.
Hetimi vijon nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, ndërsa pritet të mblidhen prova dhe të identifikohen personat përgjegjës.
Mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit ishin ftuar për intervistim.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.
Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.
Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis./ BetimipërDrejtësi
Dyshimet për manipulim me vota në Prizren, mbi 100 zyrtarë në Polici
Më shumë se 100 zyrtarë të angazhuar nga komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) janë ftuar për intervistim nga organet e drejtësisë nën dyshimin për manipulim me vota në Prizren në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për RTK-në se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.
“Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”, ka theksuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti.
KOHA ka kërkuar detaje për aksionin nga kryeprokurori i Prizrenit Petrit Kryeziu dhe posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet.
Rreth 140 komisionerë që ishin të angazhuar gjatë numërimit të votave në Prizren.
Sipas ligjeve në fuqi ata rrezikojnë dënimin me burgim nga një deri në pesë vjet.
Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në këtë komunë.
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula të hënën e kësaj jave ka paralajmëruar intervistimin e të gjithë komisionerëve të qendrave ku nuk përputhen votat. Ajo ka paralajmëruar intervistimin edhe të kandidatëve për deputetë.
Para një jave, KQZ-ja mori vendim që të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet e rregullta të Komunës së Prizrenit, pasi nga një proces verifikues i dy kutive me fletëvotime, ka gjetur dallim prej 714 votash.
Në Qendrën e Numërimit në Prizren ishin 28 tavolina, e në secilën nga to nga 5 komisionerë; një i Vetëvendosjes, një i PDK-së, një i LDK-së, një i AAK-së dhe i pesti nga radhët e komuniteteve.
LEXO EDHE: