Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ekspertët e cilësojnë të qëlluar, por të vonuar vendimin që ndalon betonimin

Betonimi i lumenjve

Vendimi për ta ndaluar betonimin e shtretërve të lumenjve është mirëpritur nga ekspertë të ujërave dhe mjedisit. Ata e kanë cilësuar vendimin të vonuar, dhe kanë thënë se qasja e deritashme përpos që ka dëmtuar ekosistemin, ka bërë që të përmbyten shumë zona e të dëmtohen prona të qytetarëve

Ekspertë të mjedisit e kanë cilësuar të qëlluar, por të vonuar, vendimin e Ministrisë së Mjedisit që ndalon betonimin e shtretërve të lumenjve.

Vendimi u mor të mërkurën nga Fitore Pacolli, e cila e ka cilësuar betonimin si të rrezikshëm për ekosistemin e kërcënim serioz për pronat e qytetarëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Eksperti i ujërave Baton Begolli është shprehur kritik për investimet që deri tash janë bërë.

“Rehabilitimi i lumenjve nuk është me betonu lumin e me shndërru nga një rrjedh natyrore në kanal, sikur kanali i Ibër-Lepencit, beton anash e me mujt por nuk kanë mujt edhe përfundi me bo, edhe me i vendos nja dy-tri shëtitore, llamba dhe ky është rehabilitimi i lumenjve. Nuk është ajo, sepse e kanë ndërruar natyrshmërinë e lumit e në anën tjetër po kukasin kur po kemi përmbytje sepse ia ke qel rrugën ujit”, ka thënë Begolli.

Pas vërshimeve dhe përmbytjeve që ndodhën në janar, shumë njohës kanë theksuar se ato janë pasojë edhe e intervenimeve në lumenj.

Edhe ekspertja e mjedisit Egzona Shala është shprehur kritike për mënyrën se si realizohen projektet në lumenj. 

“P.sh., rasti i lumit Mirusha që edhe dritat me LED janë vendosur në emër të rekreacionit e në verat e nxehta me 40-45 gradë, ajo hapësirë e betonuar është e pamundur me u shfrytëzuar për rekreacion... Shumicën e fondeve apo të pareve të taksa paguesve në mjedis ndodhin që investohen në projekte të gabuara”, ka thënë Shala.

Shala ka numëruar edhe pasojat në ekosistem, të shkaktuara nga betoni.

“Në lumenjtë tanë nuk kemi peshq, nuk ka peshkim, peshkatarët janë vetëm në zonat e liqeneve si ai i Badocit dhe Batllavës, por në lumenj është e pamundur me gjetë një peshk, është e pamundur zhurmët e bretkosave me dëgju edhe është e pamundur me shiju një erë të këndshme rreth secilit lumë të Kosovës në periudhën e verës”, ka thënë ajo.

Raporti i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës thekson se në shumë pjesë të lumenjve, ndër vite ekosistemet ujore janë shkatërruar plotësisht, duke prekur drejtpërdrejt florën dhe faunën lokale.

Sipas këtij raporti të publikuar në vitin 2022, lumenjtë dhe brigjet e tyre janë të pasura me larmi drurësh dhe shkurresh, por kjo pasuri natyrore po kërcënohet seriozisht nga procesi i degradimit.