Njohësja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka thënë se ka qenë e pritshme që Lëvizja Vetëvendosje të dalë e para në zgjedhje, por jo me këtë rezultat. Sipas saj, as vetë VV-ja nuk e ka pritur një rezultat të tillë.
Ajo ka shtuar se është pozitive që po rikthehet stabiliteti institucional pas një viti të humbur. “Kjo do të na japë një shans për t’i vazhduar reformat. Ky ishte një mesazh i qartë nga elektorati për opozitën”, ka thënë Emini.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Emini ka theksuar se zgjedhjet e reja nuk do t’i hynin në punë as VV-së, pasi sipas saj nuk do të kishte dalje dhe pjesëmarrje të njëjtë të diasporës. Ajo ka shtuar se Albin Kurti ndodhet në një pozitë të favorshme, pasi ka një shumicë që nuk e kishin parashikuar as vetë.
Sipas saj, kërcënimi me zgjedhje është një strategji politike, pasi dihet që për opozitën do të ishte shkatërruese. “Opozita gjendet në një pozitë të pafavorshme dhe shkuarja në zgjedhje nuk do të ishte në interesin e saj”, ka thënë ajo.
Emini ka theksuar se debati për presidentin do të duhej të kishte nisur që tani. “Sot u pa një tendencë që Glauk Konjufca të prezantohet në publik si një figurë që ka marrë më shumë vota se Vjosa Osmani, duke u lënë hapësirë dyshimeve se mund të jetë kandidat për president. Edhe partitë e tjera nuk do të kishin qasje kundërshtuese ndaj tij, siç kanë ndaj Osmanit”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se në vitin 2021 ishte e qartë se kë e përkrahte VV-ja për presidente, ndërsa tani kjo mbështetje nuk është e qartë. “U tha se është e vështirë të sigurohen 80 vota, por nuk u përmend se ku qëndron VV-ja në këtë aspekt dhe kë do ta mbështesë si kandidat. Këtë herë nuk është e qartë dhe nuk është as afër eksplicite mbështetja e Vetëvendosjes për Osmanin”, ka theksuar Emini.
Sipas saj, është problem serioz që në Kosovë krijohen kriza politike për pozitën e presidentit, ndonëse kompetencat e këtij posti janë të kufizuara. “Më vjen keq edhe për familjen Jashari, sepse gjithmonë përdoren për konsum politik. Tani kemi një matematikë tjetër në Kuvend. Një president politik nuk do të ishte i preferueshëm”, ka thënë ajo.
Emini ka kritikuar opozitën, duke thënë se ajo ka qenë e obsesionuar për të dëshmuar se “edhe VV-ja është po aq e keqe sa ne”, duke shtuar se kjo ka qenë një qasje e gabuar. Sipas saj, opozita nuk do të duhej të humbte kohë dhe do të duhej ta votonte kryeparlamentarin, për ta sfiduar më pas VV-në në nivelin e kryeministrit.
Duke folur për partitë opozitare, Emini ka thënë se PDK-ja nuk po garon në të tashmen, por po ndërton diskursin mbi premtimin e rikthimit të Hashim Thaçit nga Haga, pa ofruar një alternativë konkrete aktuale. Ajo ka shtuar se të dy kryetarët e partisë kanë qenë tranzicionalë. Për LDK-në, Emini ka thënë se po vepron me një mendësi të vitit 2004, kur i kishte fituar zgjedhjet, ndonëse e ka vlerësuar përfshirjen e emrave të rinj në listë. Sipas saj, në LDK duhet të ketë më shumë hapësirë për njerëz të rinj, duke shtuar se Lumir Abdixhikut i ka kushtuar edhe çështja e Agim Veliut, për shkak të debatit rreth mospërfshirjes së tij në listë.
Emini ka theksuar se opozita tashmë duhet të ofrojë një alternativë serioze politike, ndërsa për AAK-në ka thënë se trajektorja e saj është në rënie.
Duke folur për zhvillimet globale, ajo ka thënë se sistemi i së drejtës ndërkombëtare është duke u sfiduar dhe se, në këto rrethana, Kosova nuk është më prioritet. “Kosova ka shumë sfida dhe me dobësimin e rendit ndërkombëtar, Kosovës po i hiqet edhe obsesionimi për të qenë pjesë e Kombeve të Bashkuara”, ka përfunduar Emini.