Arbëri

EULEX-i dislokon pjesëtarë të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë para zgjedhjeve lokale

EULEX

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka forcuar kapacitetet e sigurisë para zgjedhjeve lokale në Kosovë që mbahen më 12 tetor, duke dislokuar pjesëtarë të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), që përbëjnë Njësinë Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR), ka njoftuar ky mision.

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, në një ceremoni të martën ku morën pjesë ambasadorët e vendeve kontribuuese, u shpreh se ky dislokim dyfishon kapacitetin operativ të EULEX-it dhe e bën atë më të gatshëm për t’u përballur me çdo situatë të sigurisë.

NJPSR-ja, e përbërë nga forcat e Francës, Italisë, Holandës, Polonisë dhe Portugalisë, do të kryejë patrullime dhe do të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in.

“Ju jeni forca e Misionit që përshtatet me rrethanat dhe reagon shpejt ndaj incidenteve. Prania juaj tregon se EULEX është i pajisur jo vetëm për të monitoruar dhe këshilluar, por edhe për të vepruar me vendosmëri kur është e nevojshme”, ka thënë Barbano.

Ky është dislokimi i gjashtë i NJPSR-së që nga marsi i vitit 2022.

EULEX-i është misioni civil më i madh i BE-së në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me mandat për të mbështetur institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë dhe për të kontribuar në sigurinë e përgjithshme, si reagues i dytë pas Policisë së Kosovës dhe para KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

Njoftimi i EULEX-it