Në mesin e 22 kërkesave të refuzuara nga Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit, që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, është edhe kërkesa e familjarëve të Hatije Dinës. Dina, e cila në vitin 2019 u rrah deri në vdekje nga bashkëshorti i saj, Ilir Haxhiaj, i dënuar me 15 vjet burgim, e cilëson këtë refuzim si të padrejtë. MD-ja e ka arsyetuar refuzimin e kërkesës me pretendimin se pala nuk e ka përmbushur kriterin ligjor për kompensim
Rrahja brutale nga bashkëshorti Ilir Haxhiaj, 54-vjeçares nga Rahoveci i kushtoi me vdekje. Ilir Haxhiaj akuzohej nga Prokuroria e Prizrenit për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, derisa edhe raportet mjekësore kanë konstatuar se e ndjera ka vdekur nga po të njëjtat lëndime. Hatije Dina kishte vdekur më 15 qershor të 2019-s, pas trajtimit dyjavor në QKUK.
E në aktakuzën e ngritur gjatë 2019-s thuhej se Haxhiaj ka qenë në veturë vetëm me bashkëshorten e tij Hatijen, dhe se pas mosmarrëveshjeve që kishin pasur, ai e kishte goditur disa herë për asfalti të ndjerën. E për vrasjen e nënës nga babai i tyre, dy fëmijëve të viktimës, Hatije Dina, u takon kompensimi me ligj.
Por kjo kërkesë është refuzuar nga shteti, me arsyetimin se familjarët e viktimës është dashur që fillimisht të kërkonin dëmshpërblim nga dorasi, i cili është në vuajtje të dënimit me 15 vjet burgim, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. “Nga aktgjykimi i shkallës së parë, i cili i është bashkëngjitur kërkesës për kompensim, rezulton se në shqyrtimin gjyqësor përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, i cili njëkohësisht edhe e ka paraqitur kërkesën për kompensim, e cila tani shqyrtohet, ka deklaruar se ‘kërkesën pasurore juridike do ta paraqesë në kontekstin civil’, andaj rezulton se në procedurën penale nuk ka kërkuar dëmshpërblim nga i pandehuri. Pasi që përfaqësuesi i familjes së dëmtuar nuk ka kërkuar dëmshpërblim nga i pandehuri e nuk është fjala për nenin 9 të Ligjit, në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet ligjore për kompensimin e dëmit sipas këtij ligji”, shkruan në vendimin e nxjerrë nga Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit, të cilin e ka edhe KOHA.

Por të kundërtën e thotë avokati i familjes, Zahir Hamza, i cili pohon se i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë. “Në kërkesë i kam bashkangjitur edhe aktgjykimin e plotfuqishëm, që është e qartë e specifikuar, ku edhe e kam kërkuar kompensimin në të gjitha format që i takon viktimës, por e njëjta refuzon me arsyetimin se nuk i kam plotësuar kushtet, duke kërkuar një procedurë tjetër penale”, ka thënë ai.
Hamza ka treguar se tashmë kanë bërë padi për konflikt administrativ, me qëllim që vendimi të rikthehet edhe një herë në rishqyrtim.
Derisa në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë, në lidhje me rastin është thënë se avokati i palës së dëmtuar nuk ka kërkuar dëmshpërblim nga i pandehuri në procedurë penale dhe se rrjedhimisht nuk është përmbushur kriteri ligjor për kompensim. “Sipas Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, njëri nga kushtet që duhet të plotësohet është që përfaqësuesi ligjor të kërkojë dëmshpërblim nga i pandehuri në procedurë penale. Në lidhje me rastin të cilit i referoheni, sipas vendimit përkatës të komisionit, përfaqësuesi i autorizuar në këtë rast, avokati si përfaqësues i viktimës, nuk ka kërkuar një gjë të tillë, rrjedhimisht nuk është përmbushur kriteri ligjor për kompensim, andaj kjo ka qenë arsyeja e refuzimit të kërkesës”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Vetëm gjatë vitit 2020, sipas MD-së, kanë qenë 56 kërkesa të pranuara për kompensim, prej të cilave 22 janë aprovuar e 29 janë refuzuar, ndërsa vlera e përgjithshme e kompensimit ka shkuar në mbi 91 mijë euro.
Ndërkaq nga shoqëria civile procesin e kompensimit të viktimave të krimit e kanë cilësuar si proces të rëndësishëm. Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dalë edhe me një raport mbi sfidat e zbatimit të këtij ligji. Arrita Rezniqi, nga ky institut, tregon për njërën nga sfidat kryesore që kanë evidentuar. “Raporti jonë i fundit e ka treguar se sfidë e veçantë është fakti që ka numër më të madh të kërkesave, mirëpo nuk ka mjaftueshëm fonde për të mbuluar financimin”, ka thënë ajo. E për vitin 2021, deri tani janë paraqitur 46 kërkesa kompensimi, nga të cilat 21 janë aprovuar, 22 janë refuzuar, kurse 3 janë në proces.
Sipas Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, vepra penale të kompensueshme janë: vrasja, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, trafikimi me qenie njerëzore, si dhe veprat penale që bien në domenin e dhunës në familje.