Arbëri

Familja në pritje të aktakuzës, avokati i Krivaqës e quan proces mediatik

Familja e Marigona Osmanit ende është në pritje që drejtësia në vend të merr hapa konkret lidhur me vrasjen e dhunimin e vajzës së tyre.

Babai i saj, duke kërkuar që rasti të trajtohet me prioritet, thotë së si familje janë të lënduar psiqikisht.

“Unë mendoj se rasti, në momentin kur të akuzuarit nuk kanë dhënë kurrfarë sqarimi, prokuroria duhet të mos presë më dhe duhet të e ngrisë aktakuzën sa më shpejt që është e mundur, për arsye se ne si familje jemi të lënduar psiqikisht, fizikisht dhe të rrezikuar se të dy familjet janë me dosje kriminale”, thotë Muhabi Osmani.

Ai ka thënë se ende nuk e kanë pranuar raportin e obduksionit për të bijën, derisa tregoi se prokuroria ka intervistuar nënën e viktimës.

E raportin e obduksionit nuk e ka pranuar as avokati i të dyshuarit, Dardan Krivaqa, me arsyetimin se po pengohen hetimet.

Por, këtë avokati Admir Salihu po e quan të padrejtë dhe se, sipas tij, klienti i tij për këtë arsye është duke u mbrojtur në heshtje.

Sipas Salihut ky proces që nga fillimi nuk është trajtuar në mënyrë profesionale.


“Procesi prej fillimit ka qenë më shumë proces mediatik, sesa proces profesional ligjor, të gjitha palët e interesime në këtë proces më shumë u kanë interesuar lajmet e rëndësishme, sesa në fakt realiteti se çka ka ndodhë aty, hetimet janë duke vazhduar, ne po presim ngritjen e aktakuzës këtë vit. Dhe tash të shohim se si do rrjedhi procesi dhe si do jetë akuza e prokurorit në rastin konkret”, deklaron Salihu.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore që Dardan Krivaqës e Arber Sejdiut t’u vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit.

Sipas Prokurorisë në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar se, më 22 gusht 2021, i pandehuri Dardan Krivaqa në banesën e tij, me dashje e në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë më parë kishte ushtruar dhunë psikike e dhunë fizike, derisa e ndjera kishte ndërruar jetë.

Aty theksohet se gjatë gjithë kohës i pranishëm ishte edhe Arbër Sejdiu, të cilit po ashtu i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Të dy këta, të cilët janë shokë mes vete, të dielën e 22 gushtit Marigona Osmanin e kishin dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit të Ferizajt, për çka tashmë po dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”.