Arbëri

Fëmijët e gruas që u rrah për vdekje nga bashkëshorti – të harruar nga shteti

Fëmijët e Hatije Dinës ndihen të lënë anash nga institucionet e vendit. Njëri nga djemtë e Dinës kërkon që institucionet të veprojnë më seriozisht karshi këtyre rasteve. Janë bërë më shumë se dy vjet pas vdekjes së Dinës, e cila u rrah deri në vdekje nga bashkëshorti.

Largimi nga Kosova është e vetmja rrugë që thotë se i ka mbetur njërit prej djemve të Hatije Dinës.

54-vjeçarja vdiq në qershor të 2019-s, pas plagëve të marra nga bashkëshorti i saj, Ilir Haxhiaj.

Njëri nga djemtë e viktimës është shprehur i zhgënjyer me qasjen e institucioneve të vendit. Thotë se institucionet nuk duhet vetëm të flasin, por edhe të veprojnë.

“Duhet këto raste të trajtohen më seriozisht, duhet të merret punë më e fortë jo vetëm më e lënë me një anë”, ka thënë ai.

Madje familjarë të Hatije Dinës kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për kompensim, ashtu edhe siç e parasheh Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Prej që ka ndodhë rasti nuk kemi pasur mbështetje prej kurrkujt, as prej Komunës, as prej shtetit, as prej askujt. Nëse kisha pas mbështetje e përkrahje prej dikujt kish qenë më lehtë, e më kishte ndihmuar sadopak, nuk kisha mbet as anej as knej, e kisha pasur pak më të lehtë. Por me atë pagë që punoj nuk mundesh me ia dalë kurrgjë”, ka vazhduar ai.

Por kjo kërkesë është refuzuar nga shteti me arsyetimin se familjarët e viktimës është dashur që fillimisht të kërkonin dëmshpërblim nga dorasi, i cili është në vuajtje të dënimit me 15 vjet burgim, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Për dhunën e vazhdueshme që e ndjera kishte përjetuar ndër vite, në seancat e mbajtura muaj më parë kanë dëshmuar edhe djali i viktimës dhe vëllezërit e saj, të cilët kanë pohuar se viktima Hatije Dina ka përjetuar dhunë të vazhdueshme ndër vite nga bashkëshorti i saj.