Arbëri

Ferizaj përgatitet për “luftë”

Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Softaj të Ferizajt këtë javë janë larguar një numër pajisjesh, përfshirë aparatin e oksigjenit. Autoritetet komunale e arsyetuan vendimin, duke thënë se shkaku i zhvillimeve globale janë mbledhur përkohësisht disa aparate nga terreni, me qëllim të forcimit të shërbimit emergjent. Opozitarë dhe përfaqësues të fshatit e kundërshtuan veprimin

Komuna në të cilën ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel, ka marrë masa për t’u përgatitur për luftë. Autoritetet në Ferizaj e kanë përforcuar emergjencën me staf e autoambulanca, si dhe kanë transferuar aty pajisje nga qendra të mjekësisë familjare.

Nga ambulanca në fshatin Softaj është larguar edhe aparati i oksigjenit.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Kemajl Emini, tha se zhvendosja u bë shkaku i zhvillimeve globale.

“Duke e marrë parasysh situatën globale aktuale politike dhe ushtarake, e kemi bërë një konfigurim të brendshëm, duke i mbledhur përkohësisht disa aparate nga terreni, me qëllim të forcimit të shërbimit emergjent 24 orësh. Përveç pajisjeve, ky forcim përfshin edhe shtim të stafit dhe autoambulancave në dispozicion”, ka thënë Emini.

Por, ambulancës në fshatin Softaj, këtë javë iu morën edhe pajisje joemergjente, si ato për kryerjen e analizave biokimike, të rëntgenit për dhëmbë.

Drejtori Emini e dha një justifikim tjetër për shërbimet nga të cilat tani janë privuar rreth 5 mijë banorë.

“Nuk kemi teknikë të mjaftueshëm të rëntgenit – madje jo mjaftueshëm as për QMF-në në qytet. Kjo për shkak të numrit të vogël të stafit në sektorin e mjekësisë primare”, ka theksuar ai.

Opozitarët në Ferizaj thanë se asnjë arsye nuk është dhënë nga autoritetet lokale për largimin e pajisjeve nga qendra e mjekësisë familjare në Softaj.

“Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje pse janë marrë këto aparatura nga kjo QMF. Për më tepër, kjo qendër nuk është ndërtuar nga komuna, por nga një donator, dhe nuk kemi pasur asnjë marrëveshje të nënshkruar për zhvendosjen e tyre, siç po pretendon drejtori”, ka thënë Brahim Osmani, shef i asambleistëve të Vetëvendosjes, në Kuvendin Komunal në Ferizaj.

E, kryetari i fshatit Softaj, Fadil Lepovica, është shprehur i shqetësuar për këtë zhvillim. Ai paralajmëroi protesta, nëse pajisjet nuk kthehen në ambulancë.

“Fshati ynë është rreth 7 kilometra larg qytetit, ndërsa Rahovica i ka deri në 10 kilometra. Me këtë veprim i kanë dëmtuar rëndë banorët, pasi rreth 5 mijë prej tyre kanë marrë shërbime këtu. Të gjithë janë shumë të shqetësuar dhe janë të gatshëm që, nëse aparaturat nuk kthehen, të organizojnë protestë para kësaj QMF-je dhe para QKMF-së në Ferizaj”, ka thënë Lepovica.

Në mungesë të pajisjeve që janë zhvendosur në emergjencë, banorëve të pesë fshatrave do t’u duhet të udhëtojnë deri në 10 kilometra për t’i marrë shërbimet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.