Arbëri

Florian Binaj mund të jetë “Zelensky shqiptar”

Florian Binaj

Komediani Florian Binaj, i cili njihet më së miri në Shqipëri për imitimet e kryeministrit Edi Rama, do të kandidojë për kryetar bashkie të Tiranës me mbështetjen e partisë më të madhe opozitare në vend.

Sipas “Politico”, Binaj mund të jetë “Volodymyr Zelensky shqiptar”, presidenti i Ukrainës që pati hyrë gjithashtu në politikë si komedian dhe aktor televiziv.

Binaj do të luftojë për postin e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të planifikuara për 9 nëntor, të cilat do të mbahen pasi ish-kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, është në burg me akuza për korrupsion.

Komediani njoftoi në faqen e tij në Facebook se po kandidon për këtë detyrë dhe se është i sigurt se në dy vjetët e ardhshme, për aq kohë sa mandati i fituar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme duhet të zgjasë, do ta përmirësojë jetën e të gjithë qytetarëve të Tiranës.

Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, u shpreh se Binaj është një aktivist që do të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve.

“Ai mishëron pikërisht atë që opozita shqiptare po kërkon: jo vetëm një mënyrë për të zgjeruar ndikimin e saj, por edhe një përgjigje ndaj kërkesës në rritje për profile publike të pastra, të reja dhe urbane”, deklaroi Berisha për “Politicon”.

Binaj do të përballet me kandidaten e Partisë Socialiste në pushtet dhe ish-ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun.

Komediani gjithashtu ka marrë mbështetjen e partive më të vogla opozitare. Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj dolën publikisht me mbështetje për Binajn. 

Zgjedhjet do të mbahen edhe në pesë bashki të tjera.

Partia Socialiste, e cila sapo ka filluar mandatin e katërt në nivel shtetëror, aktualisht qeveris në 54 nga 61 zonat zgjedhore të vendit.