Arbëri

Fushë-Kosovës i kthehet mbrapsht vendimi për ndërrim të pronës komunale

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka vlerësuar të paligjshëm vendimin e Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës për ndërrimin e pronës komunale me një biznes privat. Ky i fundit e kishte ndërtuar një pjesë të objektit në pronë komunale në fshatin Harilaq të Fushë-Kosovës dhe i njëjti kërkonte që të bëjë ndërrimin e pronës komunale me atë private.

Kuvendi Komunal në mbledhjen e muajit qershor e kishte miratuar vendimin, i cili ia mundësonte këtij biznesi ndërrimin e pronës, në mënyrë që të mund ta legalizojë objektin. Por, kështu nuk ka menduar edhe niveli qendror. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer “përgjigje negative” kryetarit të Komunës, Burim Berisha, për vendimin në fjalë.

“Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal, përmes shkresës përcjellëse nr. 020-545/6 të datës 09/07.2021 ka shpjeguar se vendimi nr. 85 i datës 08.06.2021, është në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, nenin 24, paragrafin 3, 4 dhe 5 dhe Rregulloren (QRK)-nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së dërguar kryetarit Berisha. “Pas plotësimit të lëndës nga Komuna e Fushë-Kosovës me dokumente përcjellëse për vendimin e kthyer në rishqyrtim nga MAPL-ja, obligohet Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës të rishqyrtojë dhe harmonizojë vendimin në fjalë me legjislacionin në fuqi në afat prej 30 ditësh, siç parashihet në nenin 82.2 të Ligjit nr 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale”.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, u ka dërguar shkresë kryesueses së Kuvendit Komunal dhe anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa për kthimin mbrapsht të këtij vendimi nga MAPL-ja, e ku propozon që të rishqyrtohet dhe harmonizohet vendimi nr. 85 i datës 16.06.2021.

“Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datën 08.06.2021, ka marrë vendimin nr. 85, të datës 16.06.2021 për këmbimin e pronës private nr. 00779-3 me pronën komunale nr. 00002-0 në sipërfaqe të njëjtë prej 281 metrash katrorë në zonën kadastrale Harilaq. Këto ngastra kadastrale me Hartën Zonale të komunës shtrihen në zonën industriale me kodin ZI, ku gjendet edhe rruga ‘Antena’ e paraparë për asfaltim”, thuhet në shkresën e kryetarit Berisha. “Ne e kemi pranuar vlerësimin e vendimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me nr. 100 me datën 23.07.2021, që kërkon rishqyrtimin dhe harmonizimin e vendimit në përputhje me ligjin, për këtë arsye ne kemi ofruar dokumentacionin plotësues për sqarim, me shkresën përcjellëse lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit nr. 85, të datës 16.06.2021 nga kryetari i Komunës, me nr. 720 të datës 28.07.2021 në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal”.

Sipas kryetari të Fushë-Kosovës, Ministria kompetente me shkresën nr. 020-545/10, të datës 30.08.2021 u ka kthyer ‘përgjigje në kërkesë’, me të cilën kërkon rishqyrtimin dhe harmonizimin e vendimit në fjalë me legjislacionin në fuqi.

“Andaj, ne i propozojmë Kuvendit të Komunës që ta rishqyrtojë, harmonizojë apo ta ndryshojë këtë vendim sipas shkresave të lëndës, por ju sqarojmë se ne tani në aspektin kohor jemi pak vonë, meqë me nenin 10 të Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale kemi kufizime në këtë drejtim, për arsye se janë shpallur zgjedhjet lokale nga presidentja e Republikës së Kosovës”.

Ndërkohë, të enjten Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës nuk e ka rishqyrtuar këtë vendim për shkak të caktimit të datës së zgjedhjeve dhe i njëjti ka mbetur të rishqyrtohet në legjislaturën e re.

KOHA ka raportuar edhe në muajin qershor rreth këtij vendimi. Atëkohë, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YAHR), Bekim Krasniqi, i ka thënë KOHËS se ndërrimi i pronës publike me atë private duhet të bëhet vetëm kur interesi është publik e jo ai privat.

“Komuna duhet të jetë shumë e kujdesshme në këto raste kur kërkohet prona komunale nga palët tjera. Në këto raste, duhet të bëhet një analizë e thukët dhe profesionale se cili është interesi publik. Pra, analiza ndihmon që të vërtetohet se a ka Komuna interes më të madh që të bëjë ndërrimin e pronës komunale me pronë private, apo s’ka interes. Nëse, në një rast të caktuar është vetëm interesi privat dhe jo ai publik, atëherë Komuna s’ka pse e ndërron pronën e vet”, ishte shprehur Krasniqi.