Kryeredaktorja e Grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ka thënë se prej që ekziston Komisioni i Pavarur i Mediave ka qenë i ndikuar nga politika.
Sipas saj, KPM-ja asnjëherë nuk ka qenë e pavarur politikisht.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Rexhepi ka deklaruar se gjithmonë ka pasur në bord njerëz që kanë qenë të zgjedhur nga grupet politike të Kuvendit.
“KPM-ja prej se ekziston kurrë nuk ka qenë e pavarur politikisht, çdoherë ka pasur njerëz të cilët grupet politike të Kuvendit, sado që Kushtetuta e parasheh si institucion të pavarur, çdoherë anëtarët e bordit kanë qenë të njërës parti ose tjetrës, jo të gjithë. Kur ka pasur ndonjë që nuk ka qenë i tillë, ka qenë kryesisht aksidentalisht. Ka pasur koordinim brenda Kuvendit që çdoherë të shkojnë njerëz të caktuar politikë, nëse kemi pasur ndonjëherë KPM kredibile, ka qenë viti që shkoi”, ka thënë ajo.
Zejnullahu: Qeveria s’duhet t’i atakojë mediat, ka klimë jomiqësore
Drejtoresha e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, Ardita Zejnullahu, ka thënë se renditja e Kosovës në Raportin “Reporterët pa kufij” është shumë shqetësuese, por edhe më shqetësuese, sipas saj, është gjuajtja e topit të fajit prej politikës te mediat dhe anasjelltas.
Sipas saj, qeveria nuk duhet t’i atakojë mediat.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se klima që krijohet për mediat dhe gazetarët me këto sulme nuk është miqësore.
“Edhe ne jemi alarmuar me këtë rënie drastike të Kosovës për 24 vende, duke qenë vendi me renditjen më të lartë në rajon për vite të tëra. Unë besoj që raporti është reflektim i asaj se çka është dhënë prej respondentëve këtu në Kosovë, metodologjia që është përdorur dhe pavarësisht se çka kanë deklaruar respondentët, të gjitha ato është dashur që të mbështetet me fakte. Është shumë shqetësuese kjo renditje, por edhe mbrojtja që po ndodh, ajo gjuajtja e topit të fajit prej politikës te mediat e prej mediave te politika, qeveria e politika është ajo që nuk duhet t’i atakojë mediat dhe duhet t’i shërbejë ky raport si reflektim për çka kanë bërë vitin e kaluar me ligjin për KPM-në, pastaj me atakimet që ndodhin direkt te gazetarët prej eksponentëve të ndryshëm politikë e partiakë, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit. Klima që krijohet për mediat dhe gazetarët nuk është miqësore, përkundrazi.
Rexhepi për lirinë e mediave: Kosova në asnjë mënyrë s’është më keq sesa vendet e rajonit
Kryeredaktorja e Grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ka thënë se Kosova nuk është më keq sesa vendet e rajonit sa i përket lirisë së mediave, siç u listua nga organizata “Reporterët pa Kufij” ditë më parë.
Në “Konfront” të KTV-së, Rexhepi ka vlerësuar se në Kosovë ka media profesionale që kryejnë punën më së miri të mundshëm dhe se të tilla ka më shumë se në rajon.
“Në përgjithësi, pas gjithë përvojës sime, nuk mendoj se Kosova është më keq sa i përket lirisë së mediave dhe profesionalizmit të mediave se vendet në rajon. Ka argumentime që thonë mos na krahaso me ta, por t’i zgjidhim problemet tona. Ne vërtetë kemi probleme si sektor, por edhe si kontekst politik dhe ekonomik. Të shumta madje. Por kur e sheh Kosovën në atë hartën e ‘Reporterëve pa Kufij’ me atë ngjyrën më të mbyllët e Serbinë me ngjyrë më të hapur nuk është diçka që paraqet realitetin. S’po flas veç për Serbinë, por edhe Shqipëria si dhe Bosnja në Republika Sërpska që ka marrë disa ligje që janë absolutisht të papranueshme”, ka thënë ajo.
Rexhepi ka thënë po ashtu se në Kosovë ka raste kur keqpërdoret kodi i etikës nga mediat, e sipas saj, kjo pikë shkakton irritim në masë dhe gjuha e përdorur nga partitë politike ndaj gazetarëve, në kombinim ulin indikatorin etik te “Reporterët pa Kufij”.
Në raportin e fundit të “Reporterëve pa Kufij”, të publikuar më 2 maj, Kosova ka rënë në vendin e 99-të. Gjendet më së keqi nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Është rënie drastike nga dy vjet më parë ku gjendej në vendin e 56-të. Madje Kosova në indeksin e fundit gjendet më poshtë edhe se Serbia, që zë vendin e 96-të.
Gashi: Raporti i "Reporterëve pa kufij", alarm - Ligji për KPM-në arsye kryesore
Kryeredaktori i medias “Kallxo”, Kreshnik Gashi, ka thënë se raporti i “Reporterëve pa kufij” lidhur me lirinë e medias në Kosovë, është alarm për vendin.
Sipas tij, ligji për KPM-në është një ndër arsyet kryesore për keqësimin e situatës së mediave dhe lirisë së mediave në Kosovë.
“Raporti është një alarm për vendin tonë dhe të dhënat që janë në raport na tregojnë për një keqësim sistematik të situatës së mediave dhe lirisë së mediave në vendin tonë, ndërsa arsyet pse ka ndodh janë disa prej tyre. Raporti është bërë duke e marrë një vlerësim të profesionistëve që punojnë në media dhe që e kryejnë një vlerësim të pavarur dhe disa prej arsyeve që unë mendoj se i kanë shtyrë njerëzit të bëjnë vlerësim të tillë lidhen me ato se çfarë kanë ndodhur në vendin tonë në vitet e fundit. Disa nga faktorët që unë mendoj se janë shumë të rëndësishëm për t’i kuptuar, ne duhet të kthehemi një vit prapa për të kuptuar se pse jemi në këtë gjendje. E para lidhet me Ligjin e KPM-së. Nëse e krahasojmë me rajonin, qeveritë e rajonit nuk e kanë pasur asnjë tentativë për të ndërtuar një ligj të KPM-së i cili është antikushtetues, dhe ligji momental ka dalë antikushtetues”, ka thënë ai.
Gashi e ka përmendur “tentativën e qeverisë për ndikim” në Radio Televizionin e Kosovës si shembull që ka ndikuar në këtë raport.
“Kemi pasur një drejtor të RTK-së që është dorëhequr në vitin e kaluar me pretekstin që kryeministri e ka ftuar në zyrën e tij dhe i ka thënë ose të japë dorëheqje, ose të vazhdojë në mënyrën se si ai dëshiron të shkojë. Nëse një drejtor i një transmetuesi publik ftohet në zyrën e kryeministrit, kjo tregon tentativë dhe ndikim të skajshëm në transmetuesin publik. Pastaj kemi ngjarjet për politizimet dhe shkarkimet në Bordin e RTK-së. Kjo na tregon një tentativë serioze e qeverisë për të ndikuar në televizionin publik”, është shprehur ai.