Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRexhepi: Shqetësuese heshtja e Qeverisë për gazin amerikan
Eksperti i energjetikës, Vezir Rexhepi, ka thënë se përtej qëndrimeve politike, asnjë Qeveri deri më tani nuk ka ftuar ekspertët kompetent që të bëhen analiza më të gjera për fushën e energjisë.
Rexhepi në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se megjithatë heshtja në raport me projektin e gazit amerikan është shqetësuese. Eksperti Rexhepi ka potencuar se Amerika është aleat strategjik dhe si i tillë nuk guxojmë të largohemi nga objektivat e përbashkëta.
“Nuk e di në prapaskenë çka ndodhë sepse është temë shumë strategjike për ne. Nuk e dimë në prapavijë a diskutohet nga Qeveria me ekspertë përkatës në fushën e energjisë, ekonomisë e ambientit sepse këto janë fushat që e përmbledhin këtë projekt. E shoh që ka një heshtje dhe ende nuk po shoh një miratim të plotë. Kjo është shqetësuese. Ne e kemi aleat të padiskutueshëm Amerikën dhe nuk guxojmë të ikim nga objektiva strategjike dhe amerikane”, ka thënë Rexhepi.
Eksperti i fushës së energjisë, ka vlerësuar se Kosova nuk humb asgjë nëse lidhet në projektin e gazit amerikan, për të cilin e përsëriti se është shumë strategjik për shtetin e Kosovës.
Së fundmi është bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë shpejt për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar si të domosdoshëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.
Madje, nga odat ekonomike në Kosovës është thënë se refuzimi i gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin me SHBA-në.
Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.
Sinanaj: Shoh politizim të skajshëm të çështjes së gazit, s’po u lihet ekspertëve
Gazetari Agon Sinanaj, ka thënë se çështja e gazit është duke u politizuar skajshmërish.
Sipas tij edhe Strategjia aktuale e Energjisë e edhe strategjia e kaluar 2017-2026 nuk e përjashton çështjen e gazifikimit, por ai ka thënë se kjo çështje nuk po u lihet ekspertëve.
“Problemi më i madh unë mendoj që kjo çështje nuk po u lihet ekspertëve, por po u lihet partive politike, dhe e dimë edhe në të kaluarën që sektori i energjisë është shfrytëzuar nga partitë politike, qoftë pushtet, opozitë, për luftë politike, edhe e shoh një politizim të skajshëm të çështjes së gazit”, ka theksuar Sinanaj në emisionin “Konfront” në KTV.
Ai ka thënë se kjo po bëhet edhe duke iu referuar vetëm si “gazi amerikan”.
“Në fakt integrimi rajonal përmes tubacioneve është politikë edhe e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Sinanaj.
Ai ka thënë se integrimi rajonal përmes tubacioneve parashihet edhe në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, të cilin e ka nënshkruar edhe Kosova.
Sinanaj ka theksuar se problemi është politizuar, por sipas tij Kosova s’do të duhej të ishte pengesë kurdo që vjen koha që investimet për gazifikim të realizohen.
Sipas investimet në gypat e tubacionit janë në fazën fillestare edhe në disa shtete të tjera si Greqia e Maqedonia e Veriut.
Ymeri për gazin: I kam shkruar Ambasadës Amerikane, po përballen me qasje refuzuese
Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka thënë se për shkak të interesit të madh publik për projektin e gazit amerikan, e ka kontaktuar Ambasadën Amerikane dhe i është thënë se po përballen me qasje refuzuese nga Qeveria.
Ymeri në emisionin “Konfront” në KTV, është shprehur se Qeveria aktuale nuk mund t’i thotë jo Amerikës por do e shtyjë si projekt.
Ajo ka deklaruar se gazi amerikan nuk po i ofertohet për herë të dytë Kosovës dhe sipas Ymerit është e pakuptimtë të refuzohet kur dihet gjendja me energjinë elektrike.
“Nuk e ka asnjë arsye të justifikueshme për të mos e pranuar këtë projekt. Në diskutim e sipër, i kam shkruar ambasadës Amerikane për shkak të interesimit të madh, jam kontaktuar dhe është ajo që dihet edhe publikisht, po përballen me një qasje refuzuese. Dihet që Qeveria Kurti nuk e ka mundësinë gjeografike e as aleate të thotë jo se bëjmë asnjëherë por e shtyjnë pambarimisht dhe është një mundësi në ikje”, ka thënë Ymeri.
Sipas Ymerit refuzimin e gazit amerikan e bën edhe më të pakuptimtë fakti që Kosova ka importuar 1 miliard euro.
Derisa SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal për gazin amerikan, Qeveria në detyrë ka dhënë një propozim tjetër. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deponuar në Ambasadën Amerikane një kërkesë për mbështetje për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, duke u thirrur në rezervat e mëdha të linjitit dhe në politikat e presidentit Donald Trump për mbështetjen e industrisë së qymyrit.
Ndërkohë gjatë ditës, presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar mundësinë e përfshirjes në projektin e gazit amerikan porse se vendimet për çështje të tilla duhet të merren pas diskutimeve dhe vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës.
Ajo ka shtuar se çështja e gazit nuk mund të reduktohet me përgjigje të thjeshta, pasi sipas saj, kërkohet analizë e plotë e kostove dhe përfitimeve për qytetarët e saj.