Gërgi ka thënë se qytetarët e Kosovës po e paguajnë më së shumti çmimin e masave ndëshkuese.
“Në rrafshin politik nuk ka një vullnet për tu ecur përpara nga BE-ja, pikë së pari nuk e dimë kush i ka vendosur masat dhe kush duhet t’i heqë sepse nëse masat janë vendosur vetëm nga Komisioni Evropian, atëherë Komisioni Evropian nuk ka nevojë për lejen e vendeve anëtare për t’i hequr. Nëse është hequr nga Këshilli i BE-së, kjo duhet të komunikohet në mënyrë transparente dhe të tregohet kush po i bllokon. Nuk ka asnjë lloj dakordimi për heqjen e masave dhe ne po e paguajmë çmimin e tyre”, ka thënë ai.
Gërgi ka theksuar se Kosova nuk ka asnjë problem me ndonjë prej shteteve anëtare dhe se nuk mund të ndëshkohet Kosova për ta çuar përpara integrimin e Serbisë.
“Shpesh janë përmendur dy vende që kanë qenë më shumë pro mosheqjes së masave, Franca dhe Italia. Nëse e analizojmë e kemi parë që vitin e kaluar që Serbia ka pasur marrëveshje për të blerë aeroplanë luftarakë nga Franca në vlerë 3.5 miliardë euro dhe padyshim se me 3 miliardë e gjysmë mund të blini influencë. Dhe në Italie keni qeverinë Meloni që është kah e djathta ekstreme dhe kanë afërsi me qeverinë e Vuçiqit në rrafshin ideologjik. Tregtia mes Italisë dhe Serbisë shkon mbi 4 miliardë euro në vit. Është detyra e Qeverisë e Kosovë që të komunikojë me këto dy vende, dhe të bëhet e qartë se duke e ndëshkuar Kosovën nuk e shpërblejnë Serbinë", ka potencuar ai.
Gërgi ka thënë tutje se integrimi i Serbisë pengohet “sepse ajo nuk i përmbush standardet”.
Bashkimi Evropian ka hequr disa prej masave ndaj Kosovës, sipas një letre të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman, për zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi. Sipas letrës, mjetet janë liruar për katër projekte, dhe si pasojë e asaj që është vlerësuar si transferim i duhur i pushtetit lokal në veri, pas zgjedhjeve të tetorit. Në një shkrim në Facebook, Bislimi ka thënë se bëhet fjalë për projekte në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.
“Bazuar në këto dhe në përputhje me komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare”, thuhet në letër.
E korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, të martën ka thënë se kjo është dëshmi që Komisioni nuk do t’i heqë tash masat në tërësi dhe se paralajmërimi për heqjen e 50 për qind të masave, do të bëhet në mënyrë graduale. Siç ka njoftuar Palokaj, disa burime në Bruksel kanë thënë se këto mjete janë liruar për arsye se mund të humbnin shpejt sepse po u skadonte afati për përdorim.