Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të premten në mbrëmje se e ka emëruar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, koordinatore kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Sipas tij, emërimi forcon “përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, si një çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë njoftimin në Facebook, Kurti ka thënë se institucionet po përpiqen në vazhdimësi për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave.
“Po e trajtojmë dhunën ndaj grave si përgjegjësi të përbashkët institucionale e shoqërore. Përmes bashkëpunimit ndër-sektorial dhe një zinxhiri institucional të fuqizuar, kemi zbatuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022–2026), me mbi 94% të aktiviteteve të zbatuara ose në zbatim. Ndër hapat e ndërmarrë në këto vite janë edhe mbështetja financiare për strehimoret dhe organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Për periudhën 2021–2025 kemi ndarë 7.3 milionë euro për të forcuar kapacitetet e tyre dhe për shërbime më të mira dhe përkrahje më të qëndrueshme për viktimat”, ka shkruar Kurti. “Kemi lansuar Protokollin Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, duke vendosur standarde të qarta për reagim institucional dhe trajtim dinjitoz të viktimave. Në të njëjtën kohë, kemi zgjeruar qasjen në drejtësi duke ofruar ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes së tyre socio-ekonomike. Për të mbështetur viktimat edhe në përballjen me pasojat e krimit, kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.
Kurti ka thënë se është avancuar edhe korniza ligjore dhe se dhuna ndaj grave tashmë është e përcaktuar si vepër penale në Kodin Penal.
“Për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe për dhunim seksual kemi vendosur dënime plotësuese, bashkë me prioritet për hetimin dhe gjykimin e këtyre rasteve. Përmes miratimit të projektligjit për shërbime sociale dhe familjare kemi nisur një reformë të thellë për Qendrat për Punë Sociale, ndërsa për raportim të unifikuar janë krijuar module të reja në bazën kombëtare të të dhënave për dhunën në familje”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se ka besim që me Gërvallën në këtë post, do të vazhdohet “forcimi i mekanizmave për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga çdo formë dhune”.
“Puna për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk ndalet. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të forcojë parandalimin, mbrojtjen dhe drejtësinë për të gjitha gratë dhe vajzat”, ka përfunduar ai.