Iris Gjinovci, themeluese e kompanisë “Schoolme”, ka deklaruar se tenderi për digjitalizim të proceseve edukativo-arsimore në Komunën e Prishtinës është bërë sipas procedurave dhe një strategji e tillë ishte trajtuar në 2018-n nga Kuvendi Komunal.
Gjinovci ishte përmendur nga sekretari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi, duke akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se e kishte ndihmuar në procedurat për këtë tenderim. Ajo ka deklaruar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se për këtë proces janë ndarë 420,000 euro buxhet, duke shtuar se tenderi është shpallur në 2023-n në mënyrë të rregullt.
“Është tender i hapur me procedura të hapura ku kemi bërë ofertë të përpunuar me kujdes pasi jemi prej vitesh në fushën e digjitalizimit...Me sa e di unë, shumica e tenderëve nuk fitojnë me çmimin më të ulët, por me çmimin dhe produktin më të mirë. Procedura ende s’ka përfunduar, është në procedurë të rregullt”, ka thënë ajo.
Sipas Gjinovcit, me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, njihen tash e disa vjet.
"Në dhjetor të 2021-s u zgjodh kryetar dhe më ka pritur si kryetar, i kam treguar projektin... U entuziazmua dhe kishte në plan digjitalizimin. Digjitalizmi ishte projekt i tij në arsim. Kryetarin Rama e kam takuar në vazhdën e takimeve me udhëheqësit për realizimin e projektit për digjitalizim, nuk është njohje e veçantë. 3-4 herë kam pasur takime me Ramën”, ka shtuar ajo.
Gjinovci ka theksuar se tenderi do të trajtohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), e sipas saj, “nuk ka arsye për t’u shqetësuar”.
“Nuk më duket se ka pasur ankesa kundër nesh, do të jetë çështje e OSHP-së të shqyrtojë meritën e rregullat. OSHP-ja ka njerëz të autorizuar për të bërë këtë punë, besoj se s’ka arsye të shqetësohemi”, ka potencuar Gjinovci.