(E përditësuar 22:59) - Me një ceremoni madhështore të mbajtur të premten mbrëma janë hapur Lojërat Olimpike Dimërore "Milano Cortina 2026".
Ceremonia kryesore është mbajtur në stadiumin "San Siro" në Milano. Lojërat i ka shpallur të hapura presidenti i Italisë, Sergio Matarella. Ceremonia ishte e mbushur me pika artistike dhe momente emocionale. Kanë parakaluar edhe delegacionet e vendeve pjesëmarrëse, ndër të tjera edhe delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Në Lojëra marrin pjesë 2871 sportistë nga 92 vende të ndryshme. Kjo ngjarje madhështore përfundon më 22 shkurt.
Skitarët e Kosovës parakalojnë në ceremoninë e Olimpiadës dimërore
(E përditësuar 21:37) - Skitarët e Kosovës, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu, kanë parakaluar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore që po mbahet në stadiumin “San Siro”.
Nis ceremonia e Lojërave Olimpike Dimërore

(21:30) - Ceremonia për hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore ka nisur në Milano dhe Cortina sonte (e premte). Lojërat do të zgjasin deri më 22 shkurt dhe do të zhvillohen në dhjetë arena në tre rajone të Italisë veriore.
Në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 do të marrin pjesë 2,871 atletë nga 92 vende, me përfaqësim pothuajse të barabartë gjinor. Do të ketë 116 gara medaljesh në 16 sporte, duke përfshirë ski alpin, biatlon, hokej mbi akull, patinazh, skeleton, ski alpinizëm si një disiplinë e re e të tjera.
Kosova do të përfaqësohet në këto Lojëra me dy skitarë, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu.
Pas pak pritet edhe parakalimi i tyre në stadiumin “San Siro”