Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjoba 32-milionëshe për NPB-në përplas PDK-në e VV-në

NPB-prona-lakrishte

Aktgjykimi i shkallës së parë të Komerciale që obligon Ndërmarrjen Publike Banesore t’ia japë një konsorcumi 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur lidhur me një projekt të parealizuar në Lakrishtë të Prishtinës, ka nxitur përplasje. PDK-ja, që udhëheq me NPB-në, e ka fajësuar LVV-në, duke pretenduar se më 2021 kryetari Shpend Ahmeti që e lidhi kontratën ishte pjesë e këtij subjekti, megjithëse ai ishte larguar 2-3 vite më parë nga VV-ja. E VV-ja ka hedhur dyshime mbi përfaqësimin ligjor të komunës dhe të NPB-së, që ka angazhuar një avokat të PDK-së për këtë rast

Mbi 32,5 milionë euro do t’i humbë Ndërmarrja Publike Banesore nëse aktgjykimi i nxjerrë nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciale lidhur me një pronë në Lakrishtë të Prishtinës konfirmohet edhe nga shkalla e dytë. 

Në aktgjykimin e shkallës së parë, thuhet se NPB-ja duhet t’ia paguajë këtë shumë tri kompanive “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos”, me të cilat lidhi kontratë për bashkinvestim më 2021, në emër të fitimit të humbur të tyre, meqë nuk iu mundësua ndërtimi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E ky aktgjykim ka nxitur përplasje të mëdha politike.

Lëvizje Vetëvendosje ka hedhur dyshime për mënyrën e përfaqësimit ligjor, duke thënë se nuk pati mobilizim të duhur për këtë rast. 

E PDK-ja, që i ka asamblistët e saj aksionarë mbikëqyrës të ndërmarrjes, ka fajësuar për këtë rast Gjykatën Komerciale dhe Vetëvendosjen.

Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ka fajësuar për humbje të padisë komunën, pasi përfaqësuesi i saj mungoi në seancën e fundit e edhe NPB-në, që ka angazhuar avokatin e PDK-së, Faton Fetahu.

“Është tmerrues fakti që në seancën e shqyrtimit kryesor, kur shytohen provat dhe thuhen fjalët përfundimtare, mungojnë përfaqësuesit ligjorë të komunës. Pa ndonjë arsyetim. Këto veprime të tyre, natyrshëm që janë indicie të mjaftueshme për hetim. Në rastin më të rëndësishëm gjyqësor në historikun e ndërmarrjes, mbrojtja ligjore bëhet pro bono nga dikush që është avokat i një subjekti politik (PDK). Pa dashur t’i komentoj apo t’i vlerësoj kapacitetet profesionale të askujt, duke e ditur peshën e rastit, besoj që është dashur mobilizim maksimal i komunës dhe ndërmarrjes në mënyrë që të fitohet ky proces gjyqësor”, ka thënë Sveçla.

Avokati Faton Fetahu, nuk ka dashur të komentojë lidhur me akuzat e Sveçlës.

E sekretari për organizim i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka theksuar se Vetëvendosja nuk ka se si t’i ikë përgjegjësisë, duke e lidhur se kontrata u nënshkrua në fundin e mandatit të kryetarit Shpend Ahmeti, i cili mandatin e dytë më 2017 e pati fituar me siglën e VV-së, por më pas ishte ndarë nga ajo. 

“Është fakt publik se kjo kontratë është lidhur në vitin 2021, në kohën kur Komuna e Prishtinës udhëhiqej nga Shpend Ahmeti. Përgjegjësia politike për atë periudhë nuk mund të fshihet dhe as të relativizohet sot... Së dyti, angazhimi i avokatit Faton Fetahu dhe ekipit të tij është bërë nga unë, në cilësinë time si ish-ministër i Drejtësisë dhe si deputet, në mënyrë krejtësisht pro bono, pra pa asnjë pagesë, vetëm pasi ka dalë vendimi i parë i shkallës së parë, me të cilin gjykata praktikisht i kishte dhënë të drejtë zbatimit të kësaj kontrate ose pagesës së dëmit. Pikërisht angazhimi i këtij ekipi ka bërë që ai vendim i parë të rrëzohet në shkallë të dytë dhe rasti të kthehet në rigjykim. Prandaj, është absurde që sot të problematizohet mbrojtja juridike pro bono e interesit publik, kur pa atë angazhim rasti as nuk do të kthehej për rishqyrtim”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se ka dyshime shumë serioze për mënyrën e administrimit të këtij procesi dhe ka shprehur edhe publikisht çudinë se si një çështje komplekse si ky rast është vlerësuar pa ekspertizë të mirëfilltë të ekspertëve gjyqësorë. 

Gjyqtarin Hasan Kryeziu, Tahri e ka quajtur “supergjyqtar”, pasi sipas tij, për dy seanca vendosi t’ia ndajë dhjetëra miliona euro tri kompanive.

E në Komerciale kanë thënë se deklarimet e tilla janë kundër frymës së pavarësisë së gjyqësorit. 

“Gjykata sqaron se pretendimet e tilla janë të pasakta dhe në kundërshtim me procedurën e zhvilluar, gjë që vërtetohet nga shkresat e lëndës, megjithatë, gjykata nuk dëshiron të përfshihet në debate publike emocionale, aq më tepër me persona të cilët nuk janë të përfshirë, në cilësi të palës në procedurë gjyqësore. Andaj, çdo pretendim apo akuzë e paraqitur nga palë të treta, të cilat nuk kanë qasje apo njohuri të plotë mbi provat dhe rrethanat konkrete të një çështjeje juridike kontestimore, rrezikon të krijojë perceptime të pasakta në opinionin publik dhe të dëmtojë besimin në gjyqësor”, thuhet në përgjigjen e Komerciales. 

E në NPB, të pyetur se pse nuk kanë reaguar pas vendimit, janë përgjigjur se “kanë zgjedhur të mos e trajtojë këtë çështje përmes deklarimeve publike, por përmes veprimeve konkrete juridike dhe institucionale.

Sipas ndërmarrjes, angazhimi i Faton Fetahut falas nuk e zbeh në asnjë formë seriozitetin, përgjegjësinë dhe cilësinë e përfaqësimit juridik. 

Po ashtu. fitimi i humbur e i konstatuar nga shkalla e parë e Komerciales, sipas NPB-së nuk ekziston, pasi afati për llogaritjen këtij fitimi nis nga fillimi i punimeve që nuk ka ndodhur kurrë. 
Sipas ndërmarrjes, urdhrat gjyqësorë, kërkesat e AKP-së e të inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit e kanë pamundësuar realizimin e kontratës.  

Për kontratën e NPB-së me tri kompanitë, Prokuroria Speciale më 2024 ngriti aktakuzë kundër 6 përfaqësues të NPB-së për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kundër ish-kryeshefit, Hajdar Hoxha, por më 2025 atë aktakuzë e rrëzuan të tria shkallët gjyqësore.

Për rastin në Gjykatën Komerciale, NPB-ja ka dërguar ankesë në shkallën e dytë duke argumentuar se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës.