Të mërkurën janë mbushur 24 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur midis forcave maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke shënuar një kthesë historike drejt stabilitetit dhe bashkëjetesës në shtet. Derisa liderë politikë kanë përmendur të arriturat nga kjo marrëveshje, njohës të zhvillimeve thonë se ajo nuk është zbatuar plotësisht. Në mesin e detyrimeve të pazbatuara është edhe ai për gjuhën shqipe
Nën presionin ndërkombëtar, përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë dhe përfaqësues politikë të shqiptarëve në këtë shtet para 24 vjetëve nënshkruan Marrëveshjen Kornizë në Ohër, që i dha fund konfliktit të armatosur mes forcave maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ajo përfshinte ndërprerje të armiqësive, demilitarizim, decentralizim, gjuhë dhe përfaqësim të shqiptarëve në institucione e administratën shtetërore.
Marrëveshja ishte garantuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ku u kërkua të zbatohej brenda një periudhe katërvjeçare, përfshirë ndryshime kushtetuese dhe ligjore për zbatimin e saj.
Pas më shumë se dy dekadave prej marrëveshjes, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë për Kosovapress se ka pasur shumë të arritura, tek përmendi anëtarësimin në NATO dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“24 vjet më parë, shqiptarë e maqedonas ia shtrinë dorën njëri-tjetrit për të ndërtuar një Maqedoni të re, të barabartë dhe të integruar në NATO e në BE, nëpërmjet Marrëveshjes paqësore të Ohrit, të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Bashkë ndryshuam Kushtetutën dhe miratuam pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe rregullimin e zbatimit të gjuhës shqipe, flamurin kombëtar, arsimin sipëror, përfaqësimin e drejtë dhe shumë ligje të tjera”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, ndër vite shqiptarët drejtuan Kuvendin dhe të gjitha ministritë “duke kulmuar me pozitën e premtuar dhe të realizuar të kryeministrit të parë shqiptar”.
“Kontributi jonë në shtet rezultoi me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, anëtarësim në NATO dhe nisje të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga të gjitha këto dhe shumë të tjera, fitoi shteti jonë i përbashkët dhe nuk humbi askush. Të gjitha të arriturat në 24 vjetët e kaluar i bëmë bashkë, edhe me VMRO-në, edhe me LSDM-në, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Këto të arritura janë vetë shteti, janë themeli i stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë së vendit tonë”, ka theksuar ai.
Por njohës të zhvillimeve politike kanë vlerësuar se marrëveshja nuk është zbatuar plotësisht.
Analisti Xhelal Neziri ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është implementuar kryesisht në varësi nga vullneti politik i qeverive, apo koalicioneve qeverisëse.
“Në momentin kur një parti maqedonase ka pasur numër të mjaftueshëm të deputetëve, të cilët i kanë dhënë një komoditet që të mos jetë e varur nga parti shqiptare, zbatimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit ka qenë në nivel minimal. Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm ligj, nuk është vetëm Kushtetutë, është një frymë e konsensusit, e dialogut e kompromiseve. Çdo gjë duhet të kalojë nëpërmjet këtyre filtrave, të dialogut me të gjitha palët, në rastin konkret ndërmjet etnive, kompromis midis dy etnive, konsensus në marrjen e vendimeve. Kjo frymë nuk është zbatuar në momentin kur partitë maqedonase kanë pasur një shumicë të madhe në Parlament, kur nuk është varur Qeveria nga shqiptarët”, ka thënë Neziri.
Ai shton se nuk ka analizë se çka është miratuar nga kjo marrëveshje.
“Tani 24 vjet më pas, për fat të keq, nuk ka ndonjë analizë konkrete në evoluim lidhur me atë se çfarë është miratuar nga kjo marrëveshje, sa nga ato zgjidhje normative, ligje, kushtetutë që janë shkrirë në Marrëveshjen e Ohrit në sistemin politik të Maqedoninë e Veriut janë zbatuar dhe sa zbatime të atyre ligjeve dhe Kushtetutës dhanë rezultate për të cilat u arrit Marrëveshja e Ohrit. Janë disa dimensione të cilat duhen analizuar, të cilat nuk janë analizuar në mënyrë kualitative deri më tani”, ka thënë ai. “Për fat të keq këtu faji më i madh është i partive shqiptare, të cilat kanë udhëhequr edhe sekretariatin për implementim të Marrëveshjes së Ohrit në një kohë të gjatë që më pas u transformua në Ministrinë e Sistemit Politik dhe të gjitha këto analiza nuk i kanë marrë seriozisht”.
E ish-diplomati Xhevdet Halili ka potencuar se afati i fundit për implementim të marrëveshjes ka qenë tre vjet pas nënshkrimit.
“Kërkesa është që të bëhet një ligj me të gjitha kriteret që Gjuha Shqipe të jetë gjuhë jo vetëm zyrtare, por edhe e barabartë, sepse në Kushtetutën e vitit 1974 në Ish-Jugosllavi, shqipja formalisht ka qenë zyrtare dhe e barabartë. Në Kushtetutë është folur që shqipja, turqishtja janë zyrtare dhe të barabarta. Duhet ky ligj të sillet, të aprovohet. Natyrisht atë ligj ta pranojë edhe partneri i koalicionit, në këtë rast VMRO dhe të nisë të zbatohet si duhet. E dyta, kjo që thonë këta që janë në pushtet, se kanë bërë ligj ku janë marrë vesh për mënyrën e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë, të fillojë të zbatohet ashtu siç duhet të zbatohet. Këto janë dy gjërat kryesore që edhe opozita dhe shqiptarët insistojnë”, është shprehur Halili.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve.
Në Maqedoninë e Veriut me rreth 2 milionë banorë, shqiptarët përbëjnë gati 30 për qind të popullsisë.
Ligji i ri për gjuhët i miratuar më 2018 parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, siç është ai në proceset gjyqësore dhe në uniforma policore.
Partia VMRO-DPMNE, që është në pushtet, e kishte kundërshtuar miratimin e këtij ligji, i cili më pas përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.