Gjykata Themelore në Prizren ka reaguar pas pretendimeve të avokatëve mbrojtës se të arrestuarit në skandalin e Byronës Kosovare të Sigurimeve (BKS) po mbahen jashtëligjshëm në paraburgim, duke theksuar se veprimet e saj janë kryer plotësisht në përputhje me dispozitat ligjore.
Në një përgjigje drejtuar mediave të shtunën, Gjykata ka sqaruar se pas përfundimit të seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 39 të pandehurve, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar në procesverbal se të dyshuarit do të kthehen në qendrat e ndalimit, në pritje të vendimit lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas Gjykatës, seanca dëgjimore është mbajtur brenda afatit ligjor prej 48 orësh nga arrestimi, ashtu siç parashihet me nenin 162, paragrafi 8 i Kodit të Procedurës Penale. Ky nen parasheh se, në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim, çka, sipas Gjykatës, është zbatuar edhe në këtë rast.
“Vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë konform dispozitave ligjore dhe është evidentuar në procesverbal në përfundim të seancës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Tutje, Gjykata ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme (09.01.2026), pasi të përpilohet vendimi i plotë në formë të shkruar, publiku dhe mediat do të njoftohen zyrtarisht për vendimin, ndërsa palët në procedurë do ta pranojnë atë përmes dorëzimit fizik dhe adresave elektronike.