Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë se dështimi për të konstituuar institucionet tash e dy muaj ndikon negativisht në të gjitha fushat e qeverisjes, veçanërisht në procesin e integrimit evropian.
Kjo organizatë ka thënë se që nga viti i kaluar nuk është ndërmarrë asnjë hap për ratifikimin e Agjendës së Reformave, prej së cilës Kosova mund të përfitojë 883 milionë euro në një periudhë 3-vjeçare.
GLPS ka bërë thirrje për themelim sa më të shpejtë të institucioneve dhe ratifikim e zbatim të menjëhershëm të Marrëveshjes së Planit të Rritjes. Vonesat në këtë aspekt, e një zvarritje deri pas qershorit, sipas saj, do t’i shkaktonin vendit potencialisht dëm qindra miliona euro dhe do t’i shkaktonin një dëm të pariparueshëm historik.
“Në pamundësi objektive për hapjen e negociatave për anëtarësim, prioriteti i Kosovës në fushën e integrimit Evropian duhet të jetë Agjenda e Reformave e vendit, që është miratuar nga Komisioni Evropian në tetor 2024 dhe është dorëzuar për ratifikim në Kuvend më 4 dhjetor. Kjo Agjendë parasheh reforma të rëndësishme që përafrojnë vendin me BE-në, por po ashtu parasheh përkrahjen financiare të këtyre reformave. Fatkeqësisht, që nga ajo kohë nuk është ndërmarrë asnjë hap për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme”, thuhet në komunikatën e saj.
GLPS theksoi se është përgjegjësi e rëndë politike që të mos shfrytëzohet mundësia për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
“Situata rëndohet edhe më shumë duke marrë parasysh se në rast mosratifikimi deri në qershor, që përbën afatin e dytë të zbatimit të reformave, ka rrezik real për kthim në pikën zero sa i përket negocimit të marrëveshjes. Kjo mund të përkthehet në vonesa në ekzekutimin e fondeve si dhe potencialisht rishpëndarje të tyre drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi Plani i Rritjes i BE-së parasheh klauzola të konkurrencës, sipas së cilës një vend që performon më mirë mund të përfitojë fondet e vendeve që kanë ngecje”.