Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e ka cilësuar rrezik për sigurinë dhe mirëqenien afatgjate të Kosovës, vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik të planifikuar mes dy shteteve.
“Pezullimi i këtij dialogu strategjik ende pa filluar përbën një goditje të rëndë, të panevojshme dhe plotësisht të evitueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke e pasur parasysh rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të ShBA-së në çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit tonë, ky njoftim përbën rrezik për sigurinë dhe mirëqenien afatgjate të Republikës së Kosovës. Situata rëndohet edhe më tepër duke marrë parasysh destablitetin gjeopolitik që mbretëron në Evropë dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në reagim të GLPS-së të premten.
Kjo organizatë ka thënë se fillimi i dialogut strategjik do të shënonte hap të rëndësishëm dhe do të shtronte rrugën drejt marrëveshjes, si një nga format më të larta të bashkëpunimit mes Amerikës dhe një vendi tjetër.
“Në kohën kur do të duhej të diskutonim se si të zihej hapi me vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për arritjen e partneriteti strategjik me ShBA-të, fatkeqësisht po përballemi me distancim të saj nga procesi i konsolidimit të shtetësisë së Kosovës”, thuhet në reagim të GLPS-së.
GLPS-ja i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë që “që t’i ndalë të gjitha veprimet dhe retorikën nxitëse që mund të shkaktojë dëme të mëtutjeshme”.
Më herët të premten, Ambasada Amerikane në Kosovë njoftoi se e ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
