Shoqata “Handikos”, e cila i ka përgatitur specifikat e tenderit në vlerë prej 6.5 milionë eurosh për pajisjet ndihmëse të personave me paralizë, tani është e vetmja që ka paraqitur ofertë për tenderin tjetër, atë për montimin dhe për shpërndarjen e 4.250 pajisjeve të blera. Për dorëzim të pajisjeve, të cilat janë duke u mbajtur në bodrum, SHSKUK-ja e ka hapur tenderin pas më shumë se një vit vonesë
Shoqata e cila i ka hartuar specifikat e tenderit në vlerë prej gati 6.5 milionë eurosh për blerjen e 4 mijë e 250 pajisjeve për personat me paralizë, pritet që të kontraktohet për montimin dhe për shpërndarjen e tyre.
“Handikosi” është ofertuesi i vetëm në tenderin e fundit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) për shpërndarjen, montimin dhe përshtatjen teknike të pajisjeve ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe për trajnimin e tyre për përdorim.
Një vit e katër muaj pas blerjes së pajisjeve, SHSKUK-ja ka hapur tender në vlerë të 124 mijë e 800 eurove për montimin dhe shpërndarje të tyre.
“Vendi i performimit të shërbimeve është: Shërbimi do të kryhet në vendbanim të përhershëm apo të përkohshëm për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Afati i shërbimit, 10 ditë kalendarike nga marrja e porosisë për instalimin e pajisjes”, thuhet në dosjen e tenderit.
Sipas dosjes, kompania që e fiton tenderin do t’i shpërndajë dhe do t’i montojë pajisjet në të gjithë Kosovën, do t’i përshtatë ato sipas nevojave të përdoruesve, do të ofrojë trajnim për përdorim dhe do të raportojë rregullisht për punën e kryer.
“Shpërndarja e pajisjeve për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me automjete të përshtatura. Montimi dhe përshtatja e pajisjeve për çdo person, sipas nevojës. Riparimi i çdo pajisje të cekur në Aneksin 1. Këshillim dhe trajnim i personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë për përdorim të pajisjeve. Raportimi në baza mujore te menaxheri i kontratës për çdo instalim apo intervenim. Magazinimi i të gjitha pajisjeve të cekura në Aneksin 1”, specifikohet në dosje të tenderit.
Që nga shtatori, SHSKUK-ja i ka shkelur dy afate për shpërndarjen e pajisjeve.
Në një mbledhje të bordit drejtues, drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, ka deklaruar se SHSKUK-ja nuk ka kompetencë për ta kryer këtë punë.
Në SHSKUK nuk janë përgjigjur në pyetjet se përse deri më tani nuk është hapur tender për shpërndarje dhe për montim të pajisjeve. Ndërsa në shoqatën “Handikos” nuk kanë dhënë detaje për kapacitetet e tyre dhe nëse i plotësojnë kërkesat e tenderit.
SHSKUK-ja në qershor e ka nisur procesin e aplikimit për përfituesit, pas raportimit të KOHËS se pajisjet nuk janë shpërndarë tek personat në nevojë as për gati një vit pas blerjes.
Produktet, si karrocat speciale për fëmijë, karrocat elektrike, karrocat tualeti, paterica të ndryshme e pajisje të tjera kanë mbetur në bodrum të QKUK-së edhe pse ka kaluar mbi një vit nga kontraktimi i tyre.
Këto pajisje, nëpërmjet një procesi prokurimi, SHSKUK-ja i ka blerë me çmim shumë më të lartë se që lejohet me Udhëzim Administrativ. Një bastun i thjeshtë, i cili në tregun online kushton nga 3 deri në 6 euro, është blerë për 98 euro. Ky çmim është dyfish më i lartë sesa çmimi maksimal i përcaktuar me udhëzim administrativ dhe 16 herë më i shtrenjtë sesa mund të porositet online.