Arbëri

Haradinaj: Aleanca dëshmoi forcë dhe stabilitet politik në gjithë vendin

Ramush Haradinaj

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar një ditë pas mbajtjes së balotazhit, duke e cilësuar procesin zgjedhor si dëshmi të pjekurisë demokratike të vendit dhe të forcës politike të Aleancës.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova edhe një herë ka treguar se di të organizojë zgjedhje me standarde të larta demokratike, duke falënderuar të gjitha institucionet që morën pjesë në proces.

“Dita e djeshme konfirmoi fuqinë politike dhe stabilitetin e Aleancës. Kemi triumfuar në pesë komunat ku kemi qeverisur, ndërsa do të jemi në bashkëqeverisje në mbi dhjetë komuna,” tha Haradinaj.

Sipas tij, mbështetja e 87 mijë e 358 qytetarëve për partinë që e drejton është “përgjegjësi e madhe për të punuar edhe më shumë dhe për t’u reformuar në të ardhmen”.

Ai falënderoi edhe pesë kryetarët e rizgjedhur nga radhët e AAK-së — Ardian Gjinin në Gjakovë, Bali Muharremajn në Suharekë, Bashkim Ramosajn në Deçan, Smajl Latifin në Rahovec dhe Zenun Elezajn në Klinë — duke i cilësuar si “vlera të vazhdimësisë së transformimit të komunave që qeverisin”.

“Ky është një rezultat i madh dhe një konfirmim i qartë se modeli i qeverisjes së Aleancës sjell ndryshime reale e pozitive për qytetarët”, theksoi Haradinaj.