Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka deklaruar se konflikti mes Izraelit dhe Iranit nuk do të përfundojë pa u neutralizuar rreziku bërthamor që paraqet regjimi iranian.
Ai ka theksuar se marrëveshjet paqësore të Perëndimit me Iranin kanë dështuar dhe se përballja me këtë kërcënim është e pashmangshme.
“Që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, gjithçka ka pasur një rrjedhë logjike. Nuk po flas për aspektin humanitar, por për faktin që Irani, ndryshe nga shumë vende të tjera, ka arritur ta sofistikojë arsenalin e trashëguar nga Bashkimi Sovjetik dhe është bërë prodhues i dronëve dhe raketave”, deklaroi Hasani në “Interaktiv”.
Ai kritikoi Perëndimin për qasjen e butë ndaj programit bërthamor të Iranit, duke theksuar se marrëveshjet për pasurimin e uraniumit nuk janë respektuar kurrë nga Teherani.
Hasani vlerësoi se edhe forcat më të moderuara brenda Izraelit do të reagonin në të njëjtën mënyrë përballë avancimeve bërthamore të Iranit, ndërsa përjashtoi mundësinë e shpërthimit të një lufte të tretë botërore.
“Shtetet sunnite përreth Iranit janë po aq të rrezikuara sa edhe vetë Izraeli. Edhe pse disa prej tyre dënojnë sulmet izraelite për arsye të legjitimitetit të brendshëm, në aspektin ushtarak solidariteti i tyre është zero”, përfundoi ai, duke shtuar se as Kina e as Rusia nuk kanë interes real për t’u përfshirë drejtpërdrejt në këtë konflikt.
Profesori tutje u shpreh se regjimi i Khameneit do të përballet me sfida të mëdha pas përfundimit të luftës.
“Khamenei ka shpenzuar miliard dollarë dhe ka premtuar zhdukjen e Izraelit nga faqja e dheut. Do të përballet me popullin”, ka thënë tutje ai.
Izraeli dhe Irani nisën valë sulmesh ndaj njëra-tjetrës të premten e javës së kaluar. Fillimisht, Izraeli nisi sulme ajrore ndaj caqeve bërthamore të Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me qindra raketa. Deri tash, janë shënuar qindra viktima e dëme të konsiderueshme infrastrukturore.