Në Presidencë kanë shkuar materiale të reja të cilat janë duke u shqyrtuar para se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, të vendosë nëse anëtari i 11-të i KQZ-së duhet t’i takojë Vetëvendosjes apo PDK-së. E, ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, shtron nevojën për emërim të këtij anëtari, pasi thotë se vendimmarrja mund të paralizohet në rastet kur rezultati është 5 me 5.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu është ende duke i shqyrtuar materialet për të vendosur më pas se kujt i takon anëtari i fundit në KQZ, Vetëvendosjes apo Partisë Demokratike.
Në një përgjigje për KOHËN, në Presidencë kanë thënë se kjo çështje është trashëguar, meqë anëtari i 11 me të cilin do të kompletohej KQZ-ja, nuk u emërua brenda afatit nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë të theksohet se, pasi Haxhiu ka marrë detyrën, në Presidencë janë deponuar edhe shkresa të tjera lidhur me çështjen, të cilat kanë thënë se janë duke i shqyrtuar me kujdes maksimal.
“Pas marrjes së detyrës nga U.D. presidentja, në Zyrën e Presidentes janë pranuar edhe shkresa të mëvonshme lidhur me këtë çështje. Ato janë administruar dhe po shqyrtohen si pjesë e të njëjtit proces institucional. Por për shkak të kësaj historie procedurale dhe juridike, çdo veprim i mëtejshëm kërkon vlerësim të kujdesshëm. Në ndërkohë, KQZ-ja vazhdon të jetë funksionale. Përbërja aktuale e saj nuk e rrezikon administrimin e procesit zgjedhor, certifikimin e subjekteve politike, zhvillimin e zgjedhjeve apo certifikimin e rezultatit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentes.
Ndonëse në Presidencë kanë vlerësuar se mungesa e një anëtari nuk e pengon organizimin e procesit zgjedhor që do të mbahet pas një muaji, ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, ka thënë se përbërja e pakompletuar mund të ketë pasoja.
Sipas saj, mund të cenohet funksionimi i institucionit nëse në raste të caktuara me përbërjen aktuale prej 10 anëtarësh, rezultati do të jetë i barabartë.
Sipas saj, Haxhiu duhet ta emërojë të propozuarin e PDK-së për anëtar të KQZ-së.
“Praktika e deritashme ka qenë që aq grupe parlamentare sa kanë qenë, e kanë marrë nga një anëtar. Nëse nuk kanë qenë 6 grupe parlamentare, emërimi ka filluar prej fillimit. Do të thotë tash janë 4 grupe parlamentare shqiptare, e marrin nga një anëtar dhe pastaj i marrin sipas madhësisë dhe numrit të ulëseve, që i bie VV të dytin, PDK të dytin”, ka thënë Daka.
PDK-ja insiston se kësaj partie i takon anëtari i dytë në KQZ e Vetëvendosja kërkon ta ketë të tretin.
Vetë Haxhiu ka thënë në disa raste se sapo të vendosë për anëtarin e 11-të, pret që subjekti i cili nuk e fiton këtë të drejtë, ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese.
Ish-presidentja Vjosa Osmani në fund të mandatit për dilemën se kujt i takon ulësja e 11-të në KQZ iu drejtua edhe Kushtetueses. Por edhe më 2021 e edhe tash, Kushtetuesja ia shpalli kërkesën të papranueshme për trajtim. Osmani i kishte kërkuar Kushtetueses vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ajo po ashtu kishte kërkuar nga Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme në zbatimin e afateve ligjore lidhur me fillimin e mandatit të një anëtari të KQZ-së, që nuk ishte emëruar për shkak të paqartësive kushtetuese.
Kushtetuesja e ka shpallur kërkesën e Osmanit të papranueshme. Ka refuzuar edhe kërkesën për masën e përkohshme. Sipas arsyetimit të gjykatës, kompetenca për emërim i përshkruhet presidentes me ligj dhe jo me Kushtetutë, prandaj nuk mund të japë vlerësim për këtë.
Më 2021, kur u gjend në udhëkryqin e njëjtë, pas përgjigjes së Gjykatës, Osmani vendosi ta emërojë kandidatin e PDK-së.
Kushtetuta përcakton se gjashtë anëtarët e KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare, që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta parasheh që grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.
Afati i fundit për rastin aktual ishte 11 prilli.