Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova pushon në Ditën e Evropës, mbetet larg statusit të vendit kandidat

Bashkimi Evropian / Kosova

Dita e Evropës nënkupton pushim për Kosovarët. E, meqë kjo ditë ka rënë në vikend, pushim do të jetë e hëna. Njohës të procesit të integrimit bënë thirrje për shumë punë, me qëllimin që shtetit t’i hapet perspektiva e anëtarësimit në BE.

Kosova e shënon me pushim Ditën e Evropës, ndonëse vetë nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.

E kjo ditë, e cila është në kalendarin e festave zyrtare, në vendet evropiane shënohet me aktivitete të ndryshme, por thuajse në të gjitha punohet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet më shumë në avancimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe të mos mbetet vetëm te simbolika e Ditës së Evropës.

“Përtej simbolikës, përtej idesë për të gjetur një arsye për pushuar, unë konsideroj që institucionet tona duhet të jenë në nivelin më të lartë të detyrës për të avancuar projektin dhe anëtarësimin në BE. Ne nuk kemi alternativë tjetër”, ka thënë ai.

Kosova është i vetmi vend në rajon, që nuk ka statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Si pengesë kryesore shihet fakti që shteti nuk është njohur ende nga 5 vende anëtare.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka vlerësuar se pavarësisht perspektivës evropiane të Kosovës, në praktikë procesi i integrimit nuk ka shënuar përparim konkret.

“Procesi i integrimeve evropiane ka etapa, faza konkrete dhe aty Kosova është i vetmi vend në tërë Evropën që akoma nuk ka lëvizur. Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Evropë i cili ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE dhe aplikimi i saj nuk është shqyrtuar fare, prandaj edhe Kosova është i vetmi vend në procesin e zgjerimit pa status kandidati”, ka thënë Palokaj.

Në dhjetor të 2022-s Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Edhe Imeri e edhe Palokaj kanë theksuar se pa statusin e vendit kandidat nuk mund të konkludohet se Kosova trajtohet e barabartë me vendet e tjera.

“As që vendoset në diskutim fillimisht pranimi i aplikimit të Kosovës për të qenë vend kandidat. Është diku në sirtarë nga 2022 dhe as që e përmend kush”, ka thënë Imeri.

“Vetëm marrja e statusit të kandidatit dhe avancimi në procesin e integrimeve do të dëshmonte se edhe Kosova do të trajtohej në mënyrë të barabartë sikurse vendet e tjera nga procesi i zgjerimit. Përderisa kjo të mos ndodh, gjithçka mund të mbetet vetëm në formën e simbolikës dhe të orientimit strategjik të Kosovës për integrime në BE, diçka që Bashkimi Evropian do të përshëndesë, mirëpo pa marrë ndonjë hap konkret”, ka shtuar Palokaj.

Dita e Evropës shënohet me anë të aktiviteteve në të 27 vendet anëtare të BE-së, porse pushohet në vetëm një prej tyre. Ajo shënohet prej kur kryediplomati i Francës, Robert Schuman, ka propozuar krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, projekt që i ka paraprirë krijimit të Bashkimit Evropian.