Arbëri

Haxhiu: Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim opozitar

Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shpreson që partitë opozitare të legjislaturës së kaluar të reflektojnë dhe Nenad Rashiq të votohet të enjten për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. 

Haxhiu, e cila është zgjedhur nënkryetare, ka thënë se sot ishte mundësia e largimit të përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit. 

“Sot kishte mundësi që dita të përmbyllej me dy lajme të mira. Konstituimi i Kuvendit dhe largimi i përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit. Por fatkeqësisht, opozita nuk pati as vullnetin dhe as guximin e nevojshëm. Për vetëm gjashtë vota më shumë, z. Nenad Rashiq do të ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit. Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim opozitar. Duke e ditur që kryeterroristi Milan Radoiçiq është kryetar formal i Listës serbe, le të përbashkohemi për Kosovën dhe sidomos për nder të heronjve tanë, si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. 

Konstituimi i Kuvendit ka stagnuar të martën te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb. 

Pasi Sllavko Simiq nuk mori votat e nevojshme në tri tentime, e Lista Serbe s’propozoi opsione tjera, erdhi te zgjedhja me short. Pasi Vesna Çeraniq, Stefan Kovaçeviq nuk u votuan dhe Liljana Stefanoviq refuzoi të propozohej, erdhi radha te Nenad Rashiq. 

Ai mori 55 vota pro, një ishte kundër dhe 17 abstenuan. 
 

Lexo përditësimet tjera
Dimal Basha merr pozitën e kryeparlamentarit

Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar, konstituimin e vonon nënkryetari serb