Përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, kanë nisur në kohën kur brenda LDK-së janë marrë nisma kundër lidershipit të partisë. Analistët kanë vlerësuar se ndasitë e brendshme në këtë parti mund ta vështirësojnë jo vetëm arritjen e një koalicioni, por edhe sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Sinjalet për një marrëveshje të mundshme që kanë dhënë një ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kryetari i partisë që doli e treta në zgjedhje, Lumir Abdixhiku, janë përcjellë me heshtje nga të pakënaqurit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Deputetët e zgjedhur Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj e Janina Ymeri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS të shtunën në lidhje me qëndrimin për marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE, pikërisht pakënaqësitë brenda LDK-së të shprehura në lidershipin aktual, sipas analistit Afrim Kasolli, e bëjnë të pasigurt çfarëdo marrëveshjeje.
“Lidershipi i LDK-së është duke u përballur me një test serioz, sepse kemi informata që po qarkullojnë në opinionin publik, që tashmë një pjesë e mirë e anëtarësisë, organeve të këtij subjekti politik i kanë mbledhur nënshkrimet për votëbesim ndaj kryetarit të saj dhe paralelisht me këto negociata në anën tjetër po thellohet antagonizmi në Lidhjen Demokratike të Kosovës që e bën tejet të pasigurt mundësinë e bashkëpunimit për shkak të pamundësisë të unitetit të brendshëm”, ka thënë Kasolli.
Ai ka vlerësuar se një marrëveshje mund të synohet më shumë nga lidershipi i LDK-së, pikërisht si mjet për t’u dhënë poste të pakënaqurve brenda partisë.
“Këtë nismë të tandemit Osmani e Abdixhiku, me këtë vullnet të tyre, e para për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe e dyta për ndonjë koalicion eventual mund ta shoh edhe si kalkulim të tyre, që nëpërmjet mundësisë së pushtetit, atëherë do të kenë shansin që t’i relativizojnë pak a shumë tensionet dhe pakënaqësitë që po shtohen dita ditës ndaj tyre”, ka thënë ai.
E, analisti Basri Muja ka thënë se edhe nëse arrihet marrëveshja LVV-LDK, ajo nuk garanton arritjen e numrit të nevojshëm prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit, shkaku i mosunitetit brenda grupit parlamentar të partisë së drejtuar nga Abdixhiku.
“Një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, nuk duket shumë i mundshëm në këtë fazë së paku, por edhe nëse arrihet ai gjithsesi nuk garanton zgjedhjen e presidentit edhe për shkak të ndarjeve të mëdha brenda LDK-së, por edhe për shkak të kërkesës për mbështetje më të gjerë parlamentare të këtij procesi”, ka vlerësuar Muja.
Kurti dhe Abdixhiku kanë deklaruar se negociatat e nisura të premten do të vazhdojnë dhe shprehën optimizëm për marrëveshje. Kurti ka folur për “ndërmarrje të gjerë” duke përmendur diskutime për Qeveri, Kuvend e president, ndërkaq Abdixhiku ka thënë se synojnë “shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja”.
Ndërkaq kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili u prit po ashtu nga Kurti, u shpreh pas takimit se subjekti politik që drejton do të mbetet në opozitë. Megjithëkëtë, zyrtarë të kësaj partie nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit gjatë procesit të konstituimit të institucioneve, apo pas ofertave të mundshme për president konsensual.
“PDK-ja do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe në funksion të krijimit të institucioneve, mungesa e të cilave tashmë prej një kohe të gjatë ka qenë e pajustifikueshme. Sa u përket nismave dhe ofertave për të cilat ju po flisni, PDK-ja do t’u përgjigjet atyre në kohën kur ato paraqiten, duke i shqyrtuar me përgjegjësi dhe seriozitet”, ka thënë zëdhënësi i këtij subjekti politik, Faton Abdullahu.
Në Vetëvendosje dhe as në LDK nuk u janë përgjigjur pyetjeve përkitazi me procesin e mëtejmë të negociatave mes tyre dhe zgjedhjen e presidentit. Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili është deputet i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, ka shprehur qëndrimin se Kosovës i duhet president konsensual. Në një intervistë për KosovaPressin, ai ka theksuar se për kreun e shtetit duhet dakordim nga spektri i gjerë politik, ndërsa ka bërë të ditur se partia që ka fituar zgjedhjet tashmë i ka siguruar numrat edhe për formimin e qeverisë e edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Normalisht që detyrim, obligim kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje është konstituimi i kuvendit dhe votimi, pra funksionalizimi i qeverisë, sepse si parti e parë e ka obligim kushtetues që të drejtojë... Po, numrat për qeverinë normalisht edhe për kryetarin e Kuvendit janë”, ka thënë Maqedonci.
E tek ka folur për profilin e kandidatit për president, Maqedonci ka thënë se duhet të jetë jopartiak. Sipas tij, presidenti që është edhe komandant suprem i Forcës së Sigurisë, mund të jetë edhe me karrierë ushtarake.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë edhe nga kjo fushë(prapavijë ushtarake). Po unë vlerësoj që është shumë e rëndësishme që të jetë konsensual, që të jetë i pranueshëm pra edhe të mos jetë pjesë e këtyre fërkimeve që i kemi të përditshme politike në mes të liderëve apo mund të themi zyrtarëve të partive politike”, ka thënë Maqedonci.
Nëpërmjet zgjedhjeve të 7 qershorit, Vetëvendosja ka siguruar 53 mandate, e cila bashkë me deputetët e komuniteteve, pa përfshirë nëntë të Listës Serbe, siguron shumicën parlamentare. Ndërkaq, LDK-ja ka gjithsej 18 deputetë, por së paku pesë nga ta publikisht janë shprehur kundër një koalicioni të mundshëm me LVV-në.
Në zgjedhje, LDK-ja kandidoi si prijëse të listës me ish-presidenten Vjosa Osmani, e së cilës nuk iu dha mbështetja nga VV-ja për një tjetër mandat muaj më parë. LDK-ja doli sërish e treta e pas zgjedhjeve disa degë të partisë dolën publikisht me kërkesën për dorëheqjen e Abdixhikut. Pasi ai refuzoi, ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm.