Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hila: Munguan elementet e sigurisë në plazhin te “Rana e Hedhun”

Shengjin

Mungesë të elementeve të sigurisë dhe të sinjalizimit pati në plazhin e Shëngjinit, ku humbën jetën dy shtetas të Kosovës të mërkurën nga dallgët e forta dhe rrymat detare, ka thënë gazetari Elvis Hila. Sipas tij, të rinjtë ishin pjesë e festivalit “Unum” që po mbahet në Shëngjin. E në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë kanë thënë se shtetasit e Kosovës ndodheshin në Shqipëri për qëllime turistike

Në vendin ku dy shtetas të Kosovës humbën jetën dhe tre të tjerë u lënduan të mërkurën nga dallgët e forta dhe rrymat detare, gazetari Elvis Hila nga “Report TV” thotë se pati mungesë të elementeve të sigurisë dhe të sinjalizimit.

Ngjarja ndodhi në Shëngjin, në vendin e njohur si “Rana e Hedhun”, ku po bëheshin përgatitjet për “Unum Festival” dhe sipas Hilës, viktimat ishin pjesë e stafit për këtë ngjarje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sipas të dhënave ata kishin ardhur paraditen e së mërkurës në Shëngjin dhe kanë qenë pjesë e stafit organizator të festivalit ‘Unum’, pasi dhe ngjarja ka ndodhur pikërisht në vendin ku po mbahet ‘Unum’. Plazhi ku ka ndodhur ngjarja është marrë me qira nga ‘Unum’ dhe po bëheshin përgatitjet për festivalin. Nuk ka pasur element sigurie apo persona për të sinjalizuar për detin e trazuar. Janë dëgjuar duke kërkuar ndihmë dhe menjëherë personat e tjerë që kanë qenë aty kanë njoftuar shërbimet e policisë dhe emergjencës. Bashkë me një mjet jetsky policia kufitare ka arritur t’i nxjerrë, por fatkeqësisht 2 prej tyre kanë qenë pa shenja jete”, ka thënë Hila.

Organizatorë të festivalit nuk kanë kthyer përgjigje, në pyetjet nëse viktimat ishin pjesë e stafit.

E gazetari Hila tha se gjendja e tre personave të tjerë është stabile dhe se mëngjesin e së enjtes janë liruar nga spitali.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë kanë bërë të ditur se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet në Shqipëri, me qëllim të sigurimit të të gjitha informatave.

Sipas Ministrisë, shtetasit e Kosovës ndodheshin në Shqipëri për qëllime turistike. Edhe ky institucion ka konfirmuar se të lënduarit nuk kanë gjendje të rëndë shëndetësore.

“Gjendja e të lënduarve raportohet të jetë nën kujdes mjekësor dhe në monitorim të vazhdueshëm nga institucionet shëndetësore. MPJD-ja përmes përfaqësisë diplomatike në Tiranë, ka ofruar dhe po ofron mbështetjen e nevojshme për familjet e viktimave dhe të lënduarve, duke përfshirë asistencën në procedurat përkatëse dhe koordinimin me autoritetet lokale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Shtetit të Shqipërisë për informata shtesë, por nuk ka marrë përgjigje.

Familjeve të viktimave u kanë shprehur ngushëllime nga të dy vendet, e presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka ftuar institucionet qendrore dhe lokale, si dhe operatorët turistikë, të marrin masat e nevojshme për të garantuar siguri në plazhe gjatë sezonit veror.