Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LIVE: Ku është PDK-ja para zgjedhjeve?

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Çitaku: Ne kemi përuruar ura e autostrada, këta ‘vade’

45 min. më parë / 4 qer 2026 20:31
Vlora Citaku

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Qeveria Kurti nuk mund ta numërojë asnjë investim kapital, sepse nuk e ka realizuar ndonjë të tillë.
Ajo ka deklaruar se në qeverisjen e PDK-së janë përuruar ura e autostrada ndërsa nga ministrat e Kurtit, po përurohen “vade”.

Një ditë më parë, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, përuroi projektin e ujitjes në fshatin Lupç i Poshtëm i Podujevës, duke ia bashkangjitur edhe një video të cilën e fshiu më pastaj. Ky projekt u quajt minimalist dhe nxiti shumë reagime.

“Shkon një ministër dhe përuron një vadë, ajo në rastin më të mirë do të duhej të ishte punë për kryetarin e bashkësisë lokale, hajde ta zëmë edhe kryetarin e Komunës. Ne kemi përuruar ura gjashtëkilometërshe, urat më të mëdha në Ballkan. Kemi ndërtuar autostrada”, ka thënë Çitaku në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV.

Çitaku ka thënë se do të donte të kishte projekte kapitale të realizuara nga Qeveria Kurti, sepse siç deklaroi – para partisë e kemi shtetin.

“Ne duhet ta rrisim buxhetin duke e rritur ekonominë, jo duke i rritur vetëm taksat. Ma thuani ju lutem një projekt kapital, një investim të madh direkt që ka ndodhur në Kosovë në gjashtë vjetët e fundit. Nuk ka. Unë do të doja të kishte, sepse ne para partisë e kemi shtetin dhe unë dua ta shoh Kosovën mirë. Unë do të doja që me Lëvizjen Vetëvendosje të kemi përplasje programore, të diskutojmë për projekte, mirëpo nuk jemi në një situatë të tillë”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka deklaruar se ka edhe një rezistencë shqetësuese nga Kurti për të refuzuar krijimin e kapaciteteve të reja energjetike.

“Albin Kurti, kur është bërë kryeministër, në zyrën e tij ka pasur planin të gatshëm, kontratën e gatshme për të ndërtuar kapacitetet e reja energjetike”, ka thënë Çitaku.

Sipas Çitakut pavarësia energjetike nuk i shërben vetëm ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve, por edhe sigurisë kombëtare.
 

Çitaku për koalicionet: PDK-ja nuk i nënshtrohet LVV-së

57 min. më parë / 4 qer 2026 20:18
Vlora Çitaku

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje nuk mund të jesh partner koalicioni pasi sipas Çitakut ata nuk kërkojnë bashkëpunim, por nënshtrim.

Çitaku në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” ka deklaruar se një gjë e tillë është parë në koalicionet që LVV-ja i ka pasur në të kaluarën.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qeverisur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për vetëm 50 ditë. Qeveria Kurti 1 u rrëzua më 25 mars 2020.

“Çfarë ka dëshmuar Lëvizja Vetëvendosje me partneritetet e deri tanishme që ka pasur në qeverisje është që ata kërkojnë nënshtrim total të partnerit të koalicionit. Nuk kërkojnë bashkëpunim, kërkojnë nënshtrim në raport me LVV-në dhe PDK-ja nuk është parti që nënshtrohet”, ka thënë Çitaku.

Sipas Çitakut, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i nënshtrohen edhe deputetët e këtij subjekti politik. Ajo ka thënë se në këtë subjekt politik, mendon dhe vendosë vetëm Kurti.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe shumë prej nesh që jemi në udhëheqësi të PDK-së e kemi vënë re sidomos në këto dy vitet e fundit edhe në Kuvendin e Kosovës, që në Lëvizjen Vetëvendosje mendon dhe vendosë vetëm një njeri. I tërë subjekti politik i nënshtrohet vullnetit politik të liderit suprem. Deputetët që vijnë nga LVV-ja më shumë i ngjasojnë statistave sesa njerëzve që kanë mendim politik”, ka thënë Çitaku në KTV.
 

Çitaku: Pas zgjedhjeve do të krijojmë shumicën me partitë e tjera opozitare

1 o. më parë / 4 qer 2026 20:13
Vlora Çitaku

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi që dy vite ka hyrë në një cikël të pafund të krizave. Përveç institucionale, ajo ka thënë se kriza e ka përfshirë edhe xhepin e qytetarëve për shkak të çmimeve të larta.

Në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, Çitaku është shprehur optimiste se pas zgjedhjeve të 7 qershorit numrat në Kuvendin e Kosovës do të ndryshojnë dhe bashkë me partitë e tjera që kanë qenë opozitë, do e krijojnë shumicën.

“Ne besojmë se pas 7 qershorit, konfiguracioni politik në Kosovë do të ndryshojë. Ne si PDK do të arrijmë të krijojmë bashkë me subjektet e tjera politike, që deri dje kemi qenë opozitë, të krijojmë një shumicë të re parlamentare në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që vendit t’i ofrojmë qetësi, stabilitet dhe parashikueshmëri”, ka thënë Çitaku.

E pyetur se pse nuk ka pasur një bashkim të partive opozitare pas përfundimit të dy palë zgjedhjeve të tjera nacionale, Çitaku ka thënë se nuk ka të bëjë me ideologji porse shpesh koalicionet imponohen edhe nga numrat.

“Nuk ka të bëjë vetëm se a ke kimi me ndonjë subjekt tjetër politik për të arritur koalicion. Nganjëherë ato imponohen edhe nga numrat. Me Lëvizjen Vetëvendosje ne kemi dallime të thella dhe hendekun mes PDK-së e kemi shumë të thellë. PDK-ja është subjekti i vetëm politik në vend që asnjëherë nuk është magjepsur nga Albin Kurti dhe asnjëherë nuk ka kontribuuar në ndërtimin e mitit të Albin Kurtit në Kosovë. Ky refuzim i ynë në raport me ta nuk është inatçor, nuk është se kemi ndonjë mëri personale, thjesht jemi shumë të ndryshëm”, ka thënë kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku.