Christopher Hill, përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara për Kosovë gjatë luftës, ka folur lidhur me arsyet se pse vendosi të bëhej dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, ambasadori Hill tha se nuk ka asnjë arsye të besojë që Thaçi ka marrë pjesë në krime lufte apo i ka urdhëruar ato.
“Tani, koha nuk i shëron të gjitha plagët siç thuhet, por mendoj se pas 25 vjetësh është kohë e gjatë që të mendohen gjërat dhe pikë së pari nuk kam arsye të besoj se z. Thaçi ishte përfshirë në aktivitete të tilla. Nuk kam arsye të besoj dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprime të tilla të paligjshme dhe siç e kuptoj unë ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje, pra e ndjeva që kur m'u kërkua kjo gjë – nuk kontaktova njerëz, njerëzit më kontaktuan mua dhe u ndjeva që duhet ta thosha atë që dija lidhur me situatën”, tha Hill.
Krahas të qenit i dërguar i posaçëm për Kosovë në kohën e luftës, ai mbajti edhe postin e ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni. Hill ka shërbyer edhe si ambasador në Serbi nga viti 2022 deri në fillim të 2025-ës.
Hilli, në ditën e parë të dëshmisë së tij tha se Xhavit Haliti ishte i pari përfaqësues i UÇK-së që e takoi. Megjithatë, si për Halitin, ashtu edhe për Thaçin, ai tha se nuk e kishte përshtypjen që e kishin kontrollin mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë rast gjyqësor Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e publikuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.
Hill: Nuk kam dëgjuar që Thaçi të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se nuk ka dëshmuar asnjëherë në ndonjë tribunal për krime lufte, ndërsa në këtë rast e ka ndjerë të nevojshme të dëshmojë ato që i di. Ai ka theksuar se ka ardhur të dëshmojë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ka bërë krime për të cilat është mbajtur edhe i paraburgosur.
“Koha i shëron të gjitha plagët dhe kur e mendoj pas 25 vjetësh është kohë e madhe që të mendohen gjërat dhe nuk kam arsye që të besoj që zoti Thaçi ishte përfshirë në aktivitetet të tilla. Nuk kam arsye të besoj dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla të paligjshme. Dhe, siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i paraburgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Pra, u ndjeva sikur m’u kërkua kjo gjë. Nuk kontaktova njerëz, njerëz më kontaktuan mua dhe ndjeva që duhej të thosha atë që dija lidhur me situatën”, tha ai.
Fillimisht, dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq se a ka dëshmuar në ndonjërin prej tribunaleve ndërkombëtare në rastet për krime lufte.
Hill tha se kur ishte ambasador në Varshavë gjatë periudhës 2002-2003 i është kërkuar që të dëshmojë në Tribunalin për Krime lufte.
Ai tha se nuk e kishte refuzuar këtë gjë por kishte biseduar me persona në Departamentin e Shtetit e që iu kishte thënë se “preferoj të vazhdoj me funksionet e mia aktuale të cilat i kisha”.
Hill deklaroi së një prokuror e kishte takuar në Varshavë në zyrën e tij dhe pas kësaj kishte shkuar në Uashington për konsultime për çështje në lidhje me Poloninë. Në këtë vizitë, Hill tha se ishte takuar edhe me përfaqësuesin ligjor të DASH-it dhe zëvendëssekretarin e Shtetit.
Ai tha se i njoftoi përfaqësuesit amerikanë se nuk donte të përfshihej në këto gjëra.
“Lidhur me preferencën time që unë nuk doja të përfshihesha në këto gjëra”, tha Hill.
Mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk kishin pyetje për dëshmitarin.
Hill gjatë dëshmisë ka thënë se përshtypja e tij ishte që ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi s’ishte i rëndësishëm në UÇK.
Hill: Rugova ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd, me Thaçin s’kam kontaktuar gjatë bombardimeve
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit tha se ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij.
Ndërkaq mohoi të ketë pasur kontakt me Thaçin ose Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, kur filloi fushata e bombardimeve të NATO-s.
“Rugova i cili ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në Beograd shkoi në Vatikan. Ai u lirua nga Beogradi dhe shkoi në Vatikan pas ftesës se një lloj Ministrie të Punëve të Jashtme të Vatikanit. Drejt përfundimit të fushatës ajrore të bombardimeve, m’u kërkua që ta takoj atë dhe që të kuptoj se cilat ishin synimet e tij dhe nëse po planifikonte që të jepte ndonjë deklaratë publike lidhur me fushatën e bombardimeve. Unë bëra këtë gjë, ai nuk e kishte planifikuar që të jepte deklarata publike dhe u ktheva në Shkup”, tha Hill.
Veç kësaj, dëshmitari Hill tha se kur filluan bombardimet e NATO-s kryesisht është marrë me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup./Betimi për Drejtësi