Arbëri

Homazhe për Bujar Bukoshin

homazhe

Foto: Driton Paçarada

Homazhe për ish-kryeministrin e Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, po bëhen të enjten në hollin e Kuvendit të Kosovës. Një numër njerëzish kanë nderuar figurën e tij.  

Ndërsa, paraprakisht është mbajtur mbledhje komemorative ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka thënë se Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike e historike të viteve ’90.

“Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve të ’90-ta, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë. Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar nga rrethanat e asaj periudhe”, tha ai.

Bukoshi ka vdekur të martën në moshën 78-vjeçare. Ai prej vitesh ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë.

Gjatë karrierës së tij politike, Bukoshi e pati udhëhequr Qeverinë e Kosovës në mërgim në periudhën 1991-1999.

Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik, ai arsimin fillor e ka kryer në Suharekë, ndërsa të mesmin në Prizren. Studimet për mjekësi i ka përfunduar në Beograd teksa pas diplomimit ka punuar në Drenas dhe më vonë edhe në Repartin e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Bukoshi doktoroi në fushën e urologjisë mes viteve ’80 dhe më pas u kthye për të shërbyer në Spitalin më të madh të Kosovës në Prishtinë.

Ai ishte njëri prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Në vitin 1989, ai është zgjedhur sekretar i LDK-së. E një vit më vonë, ai është larguar me dhunë nga puna e tij si mjek, derisa dy vjet më pas është emëruar kryeministër i Republikës së shpallur pas suprimimit të autonomisë së Kosovës.

Bukoshi u pati larguar fillimisht për në Slloveni, teksa detyrën si kryeministër në mërgim më pas e ka ushtruar nga Gjermania.

Pas luftës, ai ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa ishte edhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë.

Një vit pas shpalljes së pavarësisë, Bukoshi është emëruar ministër i Shëndetësisë, funksion të cilin e ka ushtruar për dy vjet, teksa më pas është caktuar edhe zëvendëskryeministër për tre vjet të tjerë.

Pas vetes, Bukoshi ka lënë bashkëshorten dhe tri vajza.