Arbëri

Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Kushtetueses çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA-ja, sipas ish-ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë në detyrë. Ai ka thënë se pezullimi i dialogut është humbje e një mundësie për forcim të partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thotë se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbulli frustrimesh ndaj Qeverisë në detyrë me Albin Kurtin në krye. 

Sipas tij, në këtë ka ndikuar edhe kritika e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të mërkurën, Hovenier e ka cilësuar pezullimin si humbje të një mundësie të madhe për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.

"[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë aktualisht është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies", ka theksuar ai.

Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik, ka thënë se sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, vendimi për pezullim është rezultat i perceptimit amerikan se Qeveria Kurti nuk po bashkëpunon mjaftueshëm.

“Ata konsiderojnë se pavarësisht këshillave, sugjerimeve dhe përpjekjeve të SHBA-së, kryeministri dhe Qeveria e tij në detyrë vazhdojnë të ndërmarrin veprime që, sipas Shteteve të Bashkuara, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Por, vini re se kjo pikëpamje nuk duket të jetë vetëm e Shteteve të Bashkuara. Partnerët evropianë gjithashtu kanë vazhduar të shprehin shqetësime të vërteta, lidhur me disa nga zgjedhjet politike të Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Kurti”, është shprehur ai.

Megjithatë, Hovenier ka theksuar se SHBA-ja vazhdon ta ketë prioritet sigurinë e Kosovës.

SHBA-ja një javë më parë pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe të paqëndrueshmërisë në vend. 

Qeveria në detyrë i ka hedhur poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se "veprimet e ligjshme dhe kushtetuese gjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit".