Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), ka deklaruar se është rritur numri i grave nga Filipinet që vijnë dhe punojnë në Kosovë, por sipas saj, pjesa më e madhe e tyre operojnë pa kontrata pune.
Ajo ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se meqë Kosova e Filipinet s’knaë raporte diplomatike, ato gra vijnë nëpërmjet territorit të Shqipërisë kryesisht gjatë stinës së verës. Hoxha përmendi se kur ato nisin punën, kryesisht si dado apo mbikëqyrëse të shtëpive, iu merren dokumentet identifikuese.
“Këto që vijnë nga Filipinet, meqë Kosova e Filipinet s’kanë raporte diplomatike dhe s’kemi agjenci të rekrutimit, ato vijnë nga Shqipëria, sidomos gjatë verës, kur Kosova e Shqipëria s’kanë kontrolle të mëdha të kufirit. Ato hyjnë pa kontrolle dhe punësohen. Edhe ato që i kanë kontratat, s’i kanë për shërbimet që i kryejnë, pasi hyjnë si kontabiliste në ndonjë biznes, por përfundojnë si dado”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka theksuar se atyre grave iu shkelen të drejtat themelore.
“Në momentin kur vijnë këtu dhe punësohen, iu merren dokumentet identifikuese që përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe fati i tyre mbetet në dorën e punëdhënësve..Mund të konsiderohet si eksploatim i punëtorëve”, ka shtuar ajo.
Hoxha theksoi tutje se numri i punëtorëve të huaj në Kosovë po rritet vazhdimisht, derisa shtoi se shumica dërrmuese e tyre operojnë pa kontrata.
“...Për punëtoret nga Filipinet, pagesa është e ulët. Brenda një muaji pagesa është nga 500 euro deri në 700 dhe bëjnë shërbime të kujdesit për fëmijë, përgatitje të ushqimit dhe asnjë apo një ditë pushim në javë. Punojnë 24 orë”, ka thënë ajo.
Hoxha ka potencuar se institucionet e Kosovës janë të njoftuara për këtë çështje.
“Ne kemi mbajtur takime me akterë nga Administrata Tatimore e Kosovës, Ministria e Brendshme. Ata janë në dijeni dhe ka filluar pak a shumë të ketë lëvizje, por jemi shumë herët. Është 2025-a dhe ende s’kemi ligj të punës që është i harmonizuar me direktiva evropiane. Kosova është e detyruar t’i përmbushë direktivat. Punëtorëve iu mungon kushti elementar, kontrata e punës”, ka shtuar ajo.
Sipas IK-së, numri i informalitetit në Kosovë sillet nga 30 deri në 40 për qind.