Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të martën, ka vazhduar rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile. Në këtë seancë i akuzuari ka propozuar dëgjimin e një dëshmitari dhe për këtë çështje trupi gjykues ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së tij.
Shqyrtimi kryesor në rigjykimin ndaj Remzi Shalës, i cili nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës akuzohet për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, ka vazhduar të martën në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Në këtë seancë ka vijuar procedura e provave, me ç’rast pala mbrojtëse e ka konsideruar si të domosdoshme dëgjimin e dëshmitares Minire Përteshi, për të cilën përfaqësuesi i palës së dëmtuar ka pohuar se gjatë kësaj jave mund të paraqitet në Gjykatë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë të njëjtën kohë, i akuzuari ka propozuar dëgjimin e dëshmitarit Emrush Guri ose Kodra dhe trupi gjykues ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së tij. Po ashtu, me vendim të trupit gjykues dhe me pëlqimin e palëve, janë lexuar deklaratat e dëshmitarëve Shefqet Përteshi, Bashkim Elshani, Bajram Qatani, Jetullah Qari dhe Bajrush Luzhnica, të dhëna në gjykimin e mbajtur më herët, e të cilët ndërkohë kanë ndërruar jetë, gjë që është vërtetuar me leximin paraprak të certifikatave të vdekjes.
Pasi që palët nuk kanë pasur propozime të tjera, seanca është ndërprerë.
Avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, ka pohuar se administrimi i provave në këtë rast po shkon drejt fundit.
“Bëhet fjalë për rigjykim, bëhet fjalë për procedurën e provave, e cila është gati në fund të administrimit të provave. Ka mbetur ardhja e një dëshmitareje, e cila ka mbetur pa u dëgjuar dhe atë shkaku i mospajtimit të avokatit mbrojtës që të lexohet ajo deklaratë nga gjykimi i kaluar dhe ka mbetur që eventualisht të sigurohet dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, gjë që ishte një propozim jo i plotë, madje edhe joserioz, duke mos i dhënë as emrin e mbiemrin e plotë, aq më pak adresën, e të tjera”, ka thënë Hoxha.
Ai ka sqaruar se në mungesë të këtyre dy dëshmitarëve, seanca e radhës është shtyrë për të enjten dhe se pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve, pritet edhe deklarata e të akuzuarit.
“Në gjykimin e kaluar i akuzuari nuk është deklaruar fare, është mbrojtur në heshtje, ndërsa në këtë gjykim i njëjti trumbeton se do të flasë, do të deklarohet, se i duhet një javë, siç e dëgjuat edhe ju vetë, dhe do të jetë shumë interesant të shohim se çfarë do të thotë ai pas një heshtjeje të gjatë”, ka deklaruar Hoxha.
Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019, pati njoftuar për shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, duke e dënuar me 14 vjet burg. Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë aktgjykim, duke e zbritur dënimin ndaj Shalës në 10 vjet burgim. Ndërkaq Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020, e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzonte Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë tjerë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël. Në këtë aktakuzë theksohej se Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e UÇK-së bashkë me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.
“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998, trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhej në aktakuzë.