Një pjesë e qytetarëve që jetojnë në banesa kolektive në Ferizaj po përballen me mungesë të mirëmbajtjes të hyrjeve dhe ashensorëve, të cilët shpeshherë paraqesin rrezik të lartë. Kjo ka nxitur reagimin e banorëve dhe të organizatës joqeveritare “AVONET” për të kërkuar nga Komuna hartimin e një rregulloreje që adreson problemin.
Në qytetin e Ferizajt, i cili në vitet e fundit është zgjeruar me ndërtime të larta banesore, është shprehur brenga për mirëmbajtjen dhe rrezikun nga defektet në ashensorë.
Banorët përmendin rastet kur shkaku i mosfunksionimit të frenave të ashensorëve qytetarët kanë pësuar lëndime.
“Në rrugën ‘Gjon Serreçi’ kemi pasur një incident ku një grua e moshës madhore ka pësuar lëndime sa i përket incidentit me ashensor dhe ka marrë një trajtim mjekësor. Duke e konsideruar këtë rast e shohim që kemi një neglizhencë të kontrollit të ashensorëve dhe nëse rriten kontrollet ndaj ashensorëve, atëherë edhe incidentet e tilla do të parandalohen”, ka thënë Korrik Krasniqi, banor.
Ekspertë të ashensorëve tregojnë për rrezikun që mund të vjen nga mungesa e mirëmbajtjes së tyre.
“Pasojat më të mëdha që ndodhin në ashensor janë rrëshqitja e ashensorit, mosfrenimi i ashensorit i rregullt shkaku i mosmirëmbajtjes së frenave, mosfunksionimi i sensorëve, sistemi i thirrjeve dhe defektet e energjisë elektrike, sepse energjia elektrike duhet me qenë shumë stabile për ashensor. Pra, çdo ashensor duhet të ketë edhe sistemin emergjent të pajisjes”, ka thënë Fatgzim Azemi, teknik i ashensorëve në një kompani private.
Shkaku i mungesës së mirëmbajtjes së ashensorëve dhe dyshimeve për keqpërdorime të parave që banorët e banesave kolektive i japin për mirëmbajtjen, rrjeti i organizatave joqeveritare “AVONET” ka iniciuar hartimin e një rregulloreje.
“Jemi duke e shikuar mundësinë për të bërë një kërkesë në Komunë që të fillohet hartimi i një akti nënligjor apo rregulloreje që e jep mundësinë e harmonizimit sa më të mirë dhe mundësinë sa më të mirë se si duhet të menaxhohen këto banesa kolektive, si ato private dhe ato që kanë qenë më herët. Besoj se do ta krijojë edhe sigurinë e ashensorëve, të mirëmbajtjes, por edhe të hyrave që japin qytetarët”, ka thënë Kenan Gashi nga OJQ “Avonet”.
Në Komunën e Ferizajt e kanë mirëpritur iniciativën dhe thanë se hartimi i rregullores mund të realizohet në një të ardhme të afërt.
“Fatkeqësisht Komuna e Ferizajt deri më tash nuk ka ndërmarrje publike që merret me menaxhimin e objekteve banesore në bashkëpronësi, ndoshta i mbetet për të ardhmen përmes aktiviteteve të ndërmarrjes publike ‘Ambieni’, siç është rasti i Prishtinës qe e ka ndërmarrjen banesore për menaxhimin e ndërtesave në bashkëpronësi, por gjithsesi mbetet për të ardhmen se si do të veprohet”, ka thënë drejtori për Urbanizëm, Arber Bytyqi.
Sipas organizatës “AVONET”, menaxhimi i banesave kolektive në bashkëpronësi duhet të menaxhohen duke i harmonizuar edhe ligjet në fuqi dhe normat teknike, me standardet për mirëmbajte të hyrjeve dhe ashensorëve.