Drejtues të Institutit Albanologjik të Prishtinës e quajtën ndërhyrje politike shqyrtimin që Ministria e Arsimit do t’i bëjë vendimit për caktimin e Meliza Krasniqit si ushtruese detyre e drejtoreshës së këtij institucioni. Ata pretenduan se arsyeja prapa veprimit mund të jetë e lidhur edhe me faktin se Krasniqi është bashkëshorte e kryetarit të PDK-së, teksa theksuan që procesi për emërimin e saj ka qenë në përputhje me rregulloren
Ndërhyrje politike e kualifikuan drejtues të Institutit Albanologjik të Prishtinës, shqyrtimin që Ministria e Arsimit (MASHTI) do t’ia bëjë vendimit të Këshillit Drejtues për emërimin e Meliza Krasniqit ushtruese detyre të drejtores së këtij instituti.
Në Ministrinë e Arsimit thanë një ditë më parë se vendimi i 20 qershorit për emërimin e Krasniqit është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues, pasi në vendimmarrje morën pjesë tre prej pesë anëtarëve, e jo katër sa kërkohet.
Por këtë e kundërshtoi anëtari i Këshillit Drejtues, Gëzim Aliu, tek tha se reagimi i MASHTI-t ndërlidhet me faktin se Krasniqi është bashkëshorte e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ajo nuk është e angazhuar politikisht, edhe pse ka qëlluar rastësisht gruaja e dikujt që tani është politikan. Mendoj se mund të jetë një ndër shkaqet e ndërhyrjes politike të Ministrisë. Por, është ndërhyrje tërësisht e padrejtë, sepse mohon të drejtat elementare të njeriut”, ka thënë Aliu.
Ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Adil Olluri, e quajti plotësisht legjitime mbledhjen në të cilën Krasniqi është zgjedhur drejtuese e re. Ai tha se në mbledhje, pjesëmarrës në vendimmarrje kanë qenë 4 anëtarë, tre prej të cilëve me të drejtë vote.
“Po shpresoj dhe dua të besoj se Ministria është e keqinformuar për këtë aspekt ligjor, për shkak se është shumë e qartë, sepse shkruan Adil Olluri, anëtar i Këshillit Drejtues. Është e qartë dhe është e zeza në të bardhë”, ka thënë Olluri.
E ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit, Naim Berisha, i hodhi poshtë edhe akuzat e drejtuara nga MASHTI për mos-hapje të qëllimshme të konkursit për drejtor të Institutit.
Ai tha se konkursi nuk është hapur deri kur Agjencia kundër Korrupsionit konstatoi që caktimi i Berishës në këtë pozitë nuk përbën konflikt interesi. E kur kjo u bë, ai tha se ministria e bllokoi si proces.
“Kundërligjshëm ndërhyn në proces dhe kërkuan nga unë dhe sekretari shkencor asokohe të mos e hapim konkursin pa u konsultuar me ta dhe pa e dërguar draftin e konkursit te Ministria”, ka thënë Berisha.
KOHA prej dy ditësh ka kontaktuar edhe Meliza Krasniqin për t’ia marrë një qëndrim për këtë çështje, por ajo tha se nuk e komenton rastin.