Arbëri

Integrimi i mësimit në gjuhën serbe brenda kuadrit ligjor të Kosovës shihet si çështje komplekse

Rrjeti arsimor në gjuhën serbe nuk bashkëpunon me institucionet e Kosovës dhe shkollat vazhdojnë të punojnë me kurrikulën e Serbisë e tekste me narrativa kundër Kosovës. Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan nëse ka pasur një vlerësim tjetër të teksteve në gjuhën serbe, pas atij të bërë në vitin 2010, ku ishte konstatuar se ato bien ndesh me Kushtetutën. E organizata që merren me këtë çështje e kanë kualifikuar si çështje komplekse integrimi i arsimit tek kanë përmendur modelin gjermano-danez, i cili do të mund të aplikohej edhe në Kosovë.

Arsimi paralel në gjuhën serbe në Kosovë po shihet si çështje komplekse, e cila nuk mund të adresohet pa vullnetin e të gjitha palëve të përfshira, thonë njohës të kësaj fushe.

Kjo çështje rikthehet sa herë ka zhvillime te sektorët e tjerë në veri që mirëmbahen nga Beogradi, shumë prej të cilëve janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës.

Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI) është ndër organizatat, e cila ka analizuar mësimin në gjuhën serbe dhe ka shtjelluar modalitetet që do të mund të aplikoheshin në rastin e Kosovës.

“Çështja e arsimit është çështje sensitive është një ndër drejtat fundamentale të njeriut. Edhe është e vështirë të ndërmarrësh hapa në arsim pa shkel ose pa rreziku integritetin e procesit arsimor. Janë përdorë disa hapa. Më kujtohet para një dhjetë-pesëmbëdhjetë viteve ka qenë që punëtorët arsimorë që punonin në arsimin në gjuhën serbe në Republikën e Kosovës paguheshin edhe prej Ministrisë së Arsimit. Kjo i binte, që ti merrni dy rroga: edhe prej Ministrisë së Arsimit të Serbisë edhe prej Ministrisë së Arsimit.. Mandej kjo u pat ndërpre. Tani nuk ka ndonjë hap për sa i përket adresimit të çështjes së arsimit në gjuhën serbe në Republikën e Kosovës. Pse s'ka, është sepse duhet të ekziston një vullnet prej dy palëve se si të adresohen”, ka thënë Adrian Zeqiri, drejtor ekzekutiv në ECMI.

Arsimi dhe shëndetësia konsiderohen ndër sektorët më të mëdhenj që operojnë me sistem të Serbisë.

Për sektorin e shëndetësisë, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha së fundi se po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje për integrimin e tyre brenda kuadrit ligjor të Kosovës.

Por nga zyra e tij nuk kanë treguar për zgjidhjet që janë duke i shtjelluar sa i përket arsimit paralel. Sqarime nuk kanë ofruar as nga Ministria e Arsimit.

E tekstet të cilat përdoren në shkollat serbe në Kosovë kanë përmbajtje të njëanshme për luftën e fundit, si dhe përmbajnë shtrembërime të fakteve që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Vetëm në vitin 2010 është bërë një vlerësim i teksteve nga Ministria e Arsimit e Kosovës, ku është konstatuar se ato bien ndesh me Kushtetutën, pasi shkelin parimet e barazisë etnike.

“Në vitin 2011 u pat ba një hulumtim i plotë i kurrikulës dhe i teksteve shkollore, ku unë dhe organizata ime e kemi fasilituar procesin. Kemi pas dalë me një raport, mirëpo nuk ka pasur mandej hapa lidhur me integrimin që lidhet me situatën e arsimit në gjuhën serbe në Republikën e Kosovës. Kështu që ky proces ka mbetur si i tillë”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka përmendur modelin gjermano-danez, që do të mund të aplikohej edhe në rastin e Kosovës.

“Selia e organizatës sime është në Flensburg të Gjermanisë. Është një qytet kufitar në mes Danimarkës dhe Gjermanisë. Ka minoritet gjerman në pjesën daneze dhe ka minoritet danez në pjesën gjermane….Shkurtimisht është që menaxhimi i shkollave bëhet nëpërmes shoqatave arsimore në dy anët e kufirit, të cilat udhëhiqen prej atij komuniteti dhe se diplomimi i nxënësve bëhet duke i marrë të njëjtën kohë dy diploma. Edhe diploma valide për Danimarkë, edhe diploma valide për sistemin gjerman”, ka thënë tutje Zeqiri.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, aktualisht janë 131 shkolla që punojnë me planprogram të Serbisë.